500 euro të pakthyera dyshohet si shkak i përleshjes me thika mes kushërinjve në Kamëz

Zbardhen detaje nga dëshmitë e personave të përfshirë në konfliktin me të plagosur të dielën në Kamëz.

Gjithçka mësohet se ka nisur për një borxh që i plagosuri i ka pasur autorit të ngjarjes me inicialet F.L. Ky i fundit i ka thënë hetuesve se 500 eurot që ia kishte dhënë H.T nuk i kishte marrë pas.

Sipas tij, ia kishte kërkuar disa herë por borxhliu nuk ia ka dhënë paratë.

Konflikti i djeshëm ka nisur pasi autori dhe personat e tjerë kanë qenë në një dasëm.

Në përfundim të ceremonisë shtetasi F.L është afruar dhe në mënyrë direkte e ka qëlluar në gjoks kushëririn H.T.

Pas incidentit, janë përfshirë edhe persona të tjerë familjarë të dy protagonistëve të sherrit, të cilët kanë nisur të qëllojnë njëri-tjetrin me grushte, çfarë ka sjellë dëmtimin e tyre.

Pas mbledhjes së provave në vendin e ngjarjes, policia ka arrestuar autorin F.L, ndërsa po hetohen në gjendje të lirë të gjithë personat e tjerë të përfshirë.