Dembelë dhe të varfër në fjalor, fëmijët shpenzojnë orë të gjata me pajisjet teknologjike

Davidin nuk e joshin lodrat që e rrethojnë në këtë park në zemër të Tiranës.

I distancuar nga fëmijët e tjerë duket se argëtimin e gjen duke lundruar në telefon.

Tregon se me këtë pajisje në duar kalon të paktën 5 orë në ditë.

"Më duket argëtuese, lojëra, YouTube, Google. Këto gjëra që fëmijët merren," thotë ai.

Si Davidi janë të shumtë fëmijët që shpenzojnë orë të gjata me pajisje teknologjike.

Ekspozimi i tepërt ndaj tyre, pediatrja Lira Gjika thotë se shkakton vështirësitë në përqendrim apo probleme në komunikim.

"Është parë që një fëmijë që shihte mbi një orë televizor rrezikonte për obezitet, mësonte më pak fjalë se një fëmijë që ishte në kontakt me të rritur. Gati 6-8 fjalë më pak se i mësonin nga sendi dhe jo nga njeriu," tha ajo.

Ajo nuk e rekomandon fare qasjen në pajisje teknologjike për fëmijët nën dy vjeç.

"Fëmija të mos jetë në kontakt me telefonin dhe televizorin. Në mjedisin që është fëmija mirë është të mos ketë fare televizor. Në 20:30 fëmija duhet të jetë në gjumë, ndërsa të tjerët mund të shohin televizor. Për fat të keq ne nuk i vëmë fëmijët të flenë në 20:30 se përtojmë," tha ajo.

Me telefonin që nuk e ndajnë asnjë ditë ka fëmijë të cilët po harrojnë gjuhën shqipe dhe e kanë më të lehtë të komunikojnë në anglisht.

"Hello, I'm 10 years old. My favorite sports it's football. ( Përshendetje, jam 10 vjeç. Sporti im i preferuar është futbolli). Në mësim ose kur dal tek parku me shokët flas anglisht," tha ai.

Pediatrja tregon pasojat kur gjuha amë bëhet e dyta tek të vegjlit.

"Duhet të jemi të vëmendjshëm se nëse ai do të ndërtojë strukturat e gjuhës, do mendojë anglisht jo shqip. Gjuha jote bëhet gjuhë e dytë.

Në anglisht apo frengjisht ti nuk je i njëjtë pasi ti rritesh në një kulturë tjetër dhe ke gjuhën e një kulture tjetër. Kur nëna nuk kupton fjalën apo fëmija nuk e kupton nënën çfarë do të ndodhë me personalitetin e tij, me shëndetin mendor," tha ajo.

Për të shmangur gjithë problemet që shkakton te fëmijët përdorimi i tepërt i telefonave, ekspertët rekomandojnë leximin e më shumë librave dhe angazhimin në aktivitete fizike.