Andoni: Pa retorikën e dobët, banale të Metës president opozita do të fitonte zgjedhjet e kaluara

Analisti, Ben Andoni në një intervistë për Ora News me gazetaren Besmira Pelushaj tregoi se si e ka parë Metën si president dhe se si e shikon Begajn në ushtrimin e kësaj detyre.

Sipas Andonit Meta ka qenë i mirë sa i përket argumentimit që u bëri dekreteve por “Sa i përket retorikës së tij ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme”.

Sipas analistit “po të mos ishte retorika e tij aq e dobët aq banale, aq e çakorduar dhe gati në ndihmë direkte por jo konstruktive për LSI mendoj se opozita do të fitonte në zgjedhjet e kaluara”.

Ben Andoni: Mendoj se ka qenë i mirë sa i përket argumentimit që u bëri dekreteve. Dhe i ka mësuar një gjë të mirë shtetit shqiptar që në momentin që parlamenti ka dekrete ligjore ose draft ligje duhet të konsultohet me zyrën juridike të presidentit. Kështu funksionon një shtet normal.  Sa i përket retorikës së tij ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme. I përmbahem me mendimit që po të mos ishte retorika e tij aq e dobët aq banale, aq e çakorduar dhe gati në ndihmë direkte por jo konstruktive për LSI mendoj se opozita do të fitonte në zgjedhjet e kaluara. Ne e kemi parë që opozita ka qenë shumë afër fitores.

Mënyra se si veproi zoti Meta  tregoi se alternativat që paraqiteshin para njerëzve ishte më mirë të vazhdonin me një alternativë që ata po e provonin që zoti Rama di ta mbajë sidomos në fushata elektorale sesa të vazhdonim me një gjuhë e cila nuk mund ti përkasë Shqipërisë së shekullit 21. Për zotin Begaj është ende fillimi megjithëse ka kaluar 6 muaj akoma nuk është vendosur në sfida të forta. Por para se të flasim për Begajn duhet të flasim për njerëzit që e rrethojnë atë. A do të jenë ata të përgjegjshëm për peshën e tyre? Presidenti tek e fundit vetëm firmos, nuk është ekspert.