Teatri u shemb me urdhër verbal, punonjësit thonë në SPAK se morën urdhër nga vartësit në Bashki dhe IKMT
Procedimi penal për shembjen e Teatrit Kombëtar, ndodhet prej dy vitesh pa një zgjidhje në sirtarët e SPAK. Prokuroria e Posaçme është mjaftuar me mbledhje dokumentacioni dhe pyetjen e eskavatoristit që shembi objektin si dhe shoferët e kamionëve që kryen transportimin e inerteve. Ata kanë thënë se kanë vepruar me urdhër verbal nga eprorët në Bashkinë e Tiranës dhe IKMT. Procedimi i nisur që në janar 2020 për shpërdorim detyre, nuk ka asnjë të pandehur por as vendim për pushimin e hetimeve.
Shembja e Teatrit Kombëtar është një nga dosjet e mbetura për një kohë të gjatë në sirtarët e SPAK pa një zgjidhje. Pavarësisht tri kallëzimeve penale nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, hetimet e SPAK, prej më shumë se dy vitesh nuk kanë arritur tek zyrtarët e lartë, që firmosën shembjen e teatrit.
“Ora News” mëson se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, gjatë kësaj kohe kanë marrë në pyetje drejtuesin e ekskavatorit, i cili mesnatën e 17 Majit 2021, shembi pjesën kryesore të fasadës së Teatrit Kombëtar dhe më pas të gjithë objektin. Në pyetje janë marrë dhe disa drejtues të kamionëve të IKMT-së, që shërbyen për largimin e inerteve. Punonjësit kanë treguar se urdhri për të çuar mjetet e rënda në objektin monumental, është marrë nga eprorët e tyre në Inspektoriatin Kombëtar.
Sipas dëshmisë që kanë dhënë punonjësit, ata kanë vepruar pa u vënë në dispozicion një dokument kontrate. Në komunikimin verbal atyre u është thënë se vendimi për prishjen e objektit ishte marrë nga Qeveria Qendrore dhe Bashkia Tiranë.
Në datën 27 korrik 2021, SPAK konfirmoi përmes një përgjigje zyrtare për Partinë Demokratike se mbi bazën e kallëzimit të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit të datës 31 dhjetor 2019, kishte nisur procedimin penal nr.29 për veprën penale shpërdorim detyre. Dosjes në fjalë mësohet se i është bashkuar më pas edhe kallëzimi i bërë nga PD, ku SPAK thekson se po kryente verifikime të gjithanshme për çështjen. Pavarësisht periudhës 2-vjeçare, SPAK është mjaftuar në hetimin e kësaj çështje vetëm duke mbledhur dokumentacionin përkatës, dhe jo pyetjen e zinxhirit komandues të IMT-së, zyrtarëve të Bashkisë Tiranë dhe zyrtarëve të KKRT-së.
Godina e Teatrit Kombëtar, u shemb gjatë orëve të natës në 17 maj të 2020 në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT-së u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerrë protestuesit dhe artistët nga godina. Pas shembjes së godinës së Teatrit, nisën protesta dhe rezistencë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilat janë mbështetur dhe nga opozita.
Shënim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

