2 vite hetim për Teatrin, SPAK pyet vetëm ekskavatoristin dhe shoferët e mjeteve që hoqën inertet e godinës historike

Prishja e godinës monumentale të Teatrit Kombëtar, ka sjellë marrjen e dëshmisë së ekskavatoristit dhe disa shoferëve të kamionëve, që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, angazhoi për rrëzimin e objektit. Përmes 3 kallëzimeve penale nga Partia Demokratike dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, hetimet e nisura nga SPAK, prej më shumë se dy viteve, nuk janë shtrirë tek zyrtarët e lartë, që firmosën shembjen e teatrit.

“Ora Neës” mëson se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, gjatë kësaj kohe ka marrë në pyetje drejtuesin e ekskavatorit, i cili mesnatën e 17 Majit 2021, shembi pjesën kryesore të fasadës së Teatrit Kombëtar dhe më pas të gjithë objektin. Në pyetje janë marrë dhe disa drejtues të kamionëve të IKMT-së, që shërbyen për largimin e inerteve, duke e kthyer territorin ku ndodhej godina e Teatrit Kombëtar, në shesh ndërtimi me qëllim nisjen e punimeve për ndërtimin e një godine të re që do shërbejë si teatër.

Punonjësit kanë treguar se urdhri për të çuar mjetet e rënda në objektin monumental, është marrë nga eprorët e tyre në Inspektoriatin Kombëtar, të cilën i kanë dhënë urdhër për të prishur me ekskavator dhe automjete të tjetra teatrin.

Sipas dëshmisë që kanë dhënë punonjësit, kanë treguar se nuk i është vënë në dispozicion një dokument konkret. Por u është thënë se vendimi për prishjen e objektit ishte marrë nga qeveria qendrore dhe bashkia Tiranë.

Por teksa janë mbushur më shumë se 1 vit e gjysmë nga nisja e hetimeve, SPAK është mjaftuar në hetimin e kësaj çështje vetëm duke mbledhur dokumentacionin përkatës, dhe jo pyetjen e zinxhirit komandues të IMT-së, zyrtarëve të Bashkisë Tiranë dhe Zyrtarëve të KKRT-së.

SPAK, për këtë çështje ka nisur procedimin penal Nr.29, duke bashkuar tre kallëzime penale të depozituar nga Partia Demokratike dhe dy nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Godina e Teatrit Kombëtar, u shemb të dielën në 17 maj të 2020 në orët e para të mëngjesit. Aksioni i IMT-së u ndihmua nga forca të shumta policie, të cilat përdorën dhe dhunën për të nxjerr protestuesit nga godina. Pas shembjes së godinës së teatrit nisën protesta dhe rezistencë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, të cilat janë mbështetur dhe nga opozita.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.