Kuvendi nuk e votoi për Avokat të Popullit, reagon Ledio Braho: Emri im u linçua në mënyrë abuzive
Me votim të fshehtë, Kuvendi rrëzoi kandidaturat e propozuara nga Partia Demokratike për Avokatin e Popullit, Ledio Braho edhe pse paraprakisht ishte dakordësuar me maxhorancën kandidatura e tij.
Kandidatura e Brahos u rrëzua me 71 vota kundër dhe Altin Goxhaj me 70 vota kundër.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Braho nuk fsheh zhgënjimin, ndërsa thotë se u lincua në mënyrë abuzive dhe u gjykua për klientët e për angazhimin dhe ushtrimin e një profesioni të lirë siç është avokatia.
Reagimi i plotë i Brahos
Duke qene se isha një nga kandidatët ne procesin e perzgjedhjes se Avokatit te Popullit, proces ky qe besoj eshte nder me te tejzgjaturit per zgjedhjen e ketij institucioni dhe jo vetem, i cili ka marre plot 8 muaj kohe, me duhet t'i them disa fjale.
Në seancën plenare të datave 21-22 Dhjetor 2022, është përfshirë në procedurë parlamentare zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Nisur nga fakti që sipas Kushtetutës, Avokati i Popullit emërohet me votat e 3/5 së anëtarëve të Kuvendit, procesi kërkon arritjen e konsensusit politik mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend
Duke nisur që nga viti 2012 tashmë Kuvendi i Shqipërisë ka ndërtuar një proces kushtetues konsensual parlamentar për arritjen e kësaj shumice të cilësuar.
Mazhorancat kanë pranuar një proces ku mes kandidatëve që përmbushin kriteret kushtetuese dhe ligjore, pas një procedure konsultimi parlamentar mes palëve, është opozita parlamentare që propozon kandidatin që përmbush kriterin e meritokracisë dhe të pavarësisë njëkohësisht, i cili përzgjidhet nga Kuvendi.
Edhe në procedurën e nisur e cila dështoi të zgjidhte një Avokat Populli për një mandat të ri, në disa deklarime në Kuvend, por edhe publikisht, mazhoranca parlamentare ka përsëritur zotimin se do të votojë dhe mbështesë në Kuvend kandidatin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Në këtë drejtim, pas vlerësimit ligjor të kandidatëve nga Komisioni parlamentar përgjegjës, në Kuvend, me propozim të deputetëve të opozitës janë paraqitur —- kandidatë, të cilët përmbushin kriterin e mbështetjes të jo më pak se 28 deputetëve.
Në një proces konsultimi parlamentar mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, është rënë dakord që mazhoranca të ketë të drejtën e refuzimit paraprak të kandidatëve që në vlerësimim e saj nuk mund të votohen.
Mazhoranca ne asnje çast nuk ngriti pretendime ne lidhje me kandidaturen time, madje jam konsideruar si nje nga kandidaturat me te vleresuara pavaresisht interesave te ngushta.
Ne vijim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në një mbledhje të tij, mori në shqyrtim dhe diskutoi lidhur me kandidatët e mbetur në garë pas skualifikimit të disave me kërkesë të Partisë Socialiste.
Grupi i PD, pas një procesi të gjatë diskutimesh, vlerësoi se dy kandidatët me mbështetje më të madhe të kalojnë në votim të fshehtë brenda grupit parlamentar, me qëllim që kandidati me mbështetje më të madhe, të jetë propozimi zyrtar i ketij grupi.
Pas votimit, me shumicë votash, une u përzgjodha si propozimi më i votuar i grupit parlamentar.
Për t'u kthyer te dita e djeshme, pavarësisht dakordësisë së dhënë më parë nga Grupi i PS, u sulmova dhe u refuzova se pse isha avokat, pse kam kryer punën time me përkushtim e seriozitet, duke më gjykuar për klientët, për angazhimin dhe ushtrimin e nje profesioni te lire siç është avokatia.
Me duhet te them se në rastin më të mirë këto janë argumente shterpë në gojën e të gjithë atyre elementeve partiakë apo jopartiakë që kanë besuar se do më kompleksonin duke mos ndalur sulmin që nga dita e parë e aplikimit tim për pozicionin e Avokatit të Popullit e deri në sekonden e fundit.
Për hir të së vërtetës, nuk kam asnjë kuriozitet të përfshihem në arsyet e vërteta të refuzimit të kandidaturës time në momentin e fundit nga grupi i PS, në tronditjen e pakuptimtë të tempullit të demokracisë befasishëm, por ama mund të them me siguri se votimi im si pjesë e ndonjë horse-trading me ndonjë kalë apo kalorës nuk do më bënte aspak krenar për një fitore të tille.
Une kam ndërtuar jetën time si njeri i lirë, si familjar i përkushtuar, si profesionist, si mik e avokat në këtë qytet. Me keqardhje konstatova se shfaqja e shëmtuar e dites se djeshme, e linçimit tim në menyre abuzive pa të drejtë fjale në ate salle e për më tepër pa qenë i pranishëm aty, është modeli i së keqes, i ushqyer me veprime e mosveprime si barriera e vërtetë e të rinjve profesionistë që duan ende të jetojnë në këtë vend duke u angazhuar sadopak në jetën dhe institucionet publike të tij.

