Studentët pa mensa: Nismë ligjore në Bashki

Eraldo Beshello, i cili ndjek studimet e larta në Tiranë, thotë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të tij shkon për ushqyerje.

"Pothuajse të tre vaktet e ushqimit i konsumojmë te mensat private në Qytetin Studenti. Kostoja që ne shpenzojmë vetëm për ushqimin shkon rreth 30 mijë lekë."

Në mungesë të mensave publike ai dhe bashkëmoshatarët e tij detyrohen ti konsumojnë vaktet në mensa private, por çmimet aty janë rënduese për xhepat e tyre.

"Sot në Shqipëri nuk ekziston asnjë mensë publike pranë asnjë kampusi apo rezidence studentore".

Nisur nga kostot e larta të studentëve, Qëndresa Qytetare ka mbledhur mbi 6600 firma dhe kërkon nga bashkia Tiranë ndërtimin e katër mensave publike pranë rezidencave studentore.

"Jemi këtu para këshillit bashkiak Tiranë me 6650 firma studentësh dhe qytetarësh të Tiranës, të cilët na kanë mandatuar për të depozituar këtë nismë ligjore".

Krahasuar me vendet e rajonit, të rinjtë shqiptarë shpenzojnë më shumë për ushqime.

"Në Kosovë, një vakt në mensën publike kushton 0.5 euro, në Francë 1.5 euro, në Gjermani 3 euro, ndërsa në Shqipëri një vakt në vend që të mbushë barkun, të zbraz xhepat".

Edhe nëse nisma nuk merret parasysh nga bashkia Tiranë, aktivistët thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për ndërtimin e mensave.

"Kjo nismë ligjore tani do ti kalojë Këshillit Bashkiak dhe çdo gjë varet nga ata. Por nga ana tjetër edhe ne nuk do të qëndrojmë të heshtur. Të drejtat tona ne duhet ti kërkojmë që ato të vijnë".

Sipas një përllogaritje që ka bërë Qëndresa Qytetare, rezulton se gjatë 10 muajve që zgjat viti akademik, studentët shpenzojnë 200 mijë lekë vetëm për ushqime.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.