Përplasi për vdekje 17-vjeçarin, ish-kryebashkiaku Vasil Bollano u nxor nga burgu për arsye shëndeti

Gjykata e Vlorës nxori nga qelia me masën "arrest shtëpie" ish-kryebashkiakun e Himarës,Vasil Bollano, dy ditë pasi përplasi për vdekje një të mitur në rrugën e Llogarasë. Vendimi u justifikua me probemet shëndetësore të 66-vjeçarit Bollano.

Ish-kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, e morën me pranga nga spitali i Vlorës për ta dërguar në Gjykatë, pasi përplasi për vdekje një minoren në rrugën e Llogarasë.

Me duart e fshehura nën pallto dhe mes efektivëve të policisë që e shoqëruan, 66- vjeçari Bollano nuk tha asnjë fjalë.

Në seancën me dyert të mbyllura, ku akuza u përfaqësua nga prokuror Hyrjet Lamaj,  gjyqtarja Lirza Sinollari vendosi ta nxjerrë Vasil Bollanon nga qelia me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Vendimi për këtë masë të lehtë sigurie u argumentua me problemet shëndetëore të ish-kryebashkiakut, për të cilat ai ishte shtruar në spital.

Aksidenti u shënua të mërkurën në aksin Orikum-Llogara, ku 66-vjeçari duke drejtuar makinën e tij përplasi 17-vjeçarin, Elio Hamiti.

I mituri ndërroi jetë disa orë më pas në Spitalin e Traumës, si pasojë e plagëve të rënda, ndërsa ish-kryebashkiaku u vu në pranga.

Bollano, i cili ka mbajtur dhe postin e kreut të Omonias akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.