Universitetet-OJF? Ekspertët, skeptikë për Universitete publike të pavarura: S`është koha
Ekspertët e arsimit e shohin me mosbesim planin e qeverisë për kthimin e universiteteve në Organizata jo fitimprurëse. Sipas tyre në Shqipëri nuk nuk ka ardhur ende koha për këtë ndryshim. Për specialistët më e pranueshme është që VKM të përjashtojë nga nga kjo hapësirë universitetet publike, e tu lërë mundësi vetëm privatëve.
Nisma e qeverisë për autonominë e universiteteve përmes privatizimit të tyre, shikohet me mosbesim nga specialistët.
Ekspertja e Arsimit, Valbona Nathanaili, thotë se VKM-ja është vazhdimi i ligjit për arsimin e lartë.
"Kërkon shumë investime, përkrahje dhe një mentalitet apo mundësi ndryshe. Këtu nuk janë pjekur kushtet, ndoshta duhet të kalojnë dhe nja 50 vjet të tjera që ne të arrijmë të shndërrojmë institucionet fitimprurëse të arsimit të lartë në fondacione".
Për Nathanailin, me rëndësi është që universitetetet publike të qëndrojnë ashtu siç janë në mënyrë që të ruhet një standard për arsimimin e lartë, e kjo hapësirë tu lihej vetëm institucioneve private.
"Për mua është problem të themi institucionet e arsimit të lartë publike ose shtetërore. Nëpërmjet këtyre institucioneve ne jemi në gjendje të bëjmë politika për arsimin e lartë. Në jemi në gjendje të përcaktojmë prioritetet. Çfarë prioritetesh ka shoqëria, tregu i punës dhe ne këto i bëjmë vetëm përmes arsimit të lartë publik shtetëror".
Vendim nuk e bën të detyrueshme kthimin e universiteteve në OJF, por ata duhet të aplikojnë për tu kthyer të tilla.
"Kjo varet nga vendimi i Senatit Akademik që duhet të jetë me shumicë pro shndërrimit të statusit të universitetit në një organizatë jofitimprurëse në llojin e fondacionit dhe ky vendim i senatit akademik i përcillet pastaj Bordit të Administrimit, i cili e përcjell në Kryeministri."
Aktualisht në Shqipëri janë vetëm 2 universitet private që funksionojnë si OJF, por nëse kjo ndodh edhe të një institucion i arsimit të lartë publik, mund të ndikojë edhe në tarifën e studentëve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


