Kukës, babai rreh vajzën, djali i kthehet për të mbrojtur motrën, automatik dhe fishekë në banesë

Një 56 vjeçar në Kukës është arrestuar ndërsa djali i tij i mitur është shpallur në kërkim pasi babai ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij ndërsa djali i mitur ndaj babait për të mbrojtur të motrën.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Lusen", për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës, u arrestua në flagrancë E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 

Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës.    

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”. 

Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.      

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.