Gentiana Sula “mban” dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, zgjidhet me votat e socialistëve

Socialistët në Kuvend votuan në përfundim të seancës maratonë plenare emrin e Gentiana Sulës për një mandat tjetër në drejtim të Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish sigurimit të Shtetit.

Në votim Sula u rizgjodh me 71 pro, 5 kundër dhe 1 abstenim. Ndërsa gjatë numërimit rezultoi që një fletë votimi ishte bosh, ndërsa një tjetër fletë ishte hedhur në kutinë e gabuar.

Në përfundim të seancës që ka nisi në orën 10 të paradites të së enjtes dhe u mbyll në mesnatë deputetët socialistë i kanë besuar Sulës drejtimin e këtij institucioni për një tjetër mandat 5-vjeçar.

Nga ana tjetër votimi për Avokatin e Popullit është shtyrë në seancën e radhës, pas Vitit të Ri, sepse nuk u arritën 84 vota për asnjërin nga kandidatët, ndërsa u përfol se emri i Ledio Brahos kishte fituar pëlqimin e mazhorancës dhe të grupit të deputeëve demokratë që përkrahin Enkelejd Alibeajn.