Berisha: Alternativa tjetër mashtrim, Rama vuan nga “kompleksi i Edipit”

Shkatërrim për prodhimet vendase. Kështu e ka cilësuar kryeministri Berisha nismën ekryesocialistit Rama për heqjen e TVSH-së për prodhimet bazë. Ndërsa prezantoi kandidatët për deputetë në bashkinë e Sukthit, Berisha tha se as përvojat në vend e as ato botërore nuk vërtetojnë se çmimet ulen atëherë kur u hiqet TVSH-ja.“Këto ditë ka shpallur përsëri platformën e shkatërrimit të prodhimeve tuaja, thotë do heq TVSH për grurin, qumështin, mishin e vezët. Kjo për ju do të thotë që mishi i Brazilit dhe Argjentinës të mos ju lejë ju të rrisni lopë, vica për mish se ai po hyn pa TVSH. Kjo do të thotë se nëse heqim TVSH për qumështin, fillojnë të vijnë kontenierët me qumësht pluhur e pa pluhur, ju mbillni grurë po ne nuk kemi shumë tokë, vendet me fusha të pafundme prodhojnë grurë më shumë, do e sjellin ata shumë më lirë e ju s’do mbillni dot më, kjo politikë bëhet për të krijuar monopolet socialiste të vezëve, mishit, miellit e qumështit. Në Shqipëri dhe botë nuk është ulur kurrë ndonjë cmim se u hiqet TVSH” tha ai.Mashtrim e ka cilësuar edhe ofertën e PS për sistemin e taksave, ku tha se taksa e sheshtë ka provuar se është taksimi më i drejtë për qytetarët shqiptarë.“Shoku i autobusit mavi përpiqet dhe mendon t’ju mashtrojë juve, ju thotë se taksa progresive është më e ndershme sepse ajo taton më pak atë që merr më pak dhe më shumë atë që merr më shumë. Të dhjetat janë taksa më e ndershme sepse ai që merr 10 paguan 1, ai që merr 100 paguan 10 herë më shumë, ai që merr 1000 paguan 100 herë më shumë, kjo është e vërteta e kësaj takse. Ja pse të parët tanë në të gjitha kohërat kanë përdorur vetëm të dhjetat”, tha më tej Berisha.“Në Delvinë u zotua se do heq taksën mbi makineritë, po shko tek doganat dhe mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për makineritë që hyjnë në Shqipëri. Në një vend tjetër ju thotë fermerëve se do heqë TVSH, ne kemi vendosur t’ju japim në dorë TVSH për cdo gjë që përdorni në fermat tuaja. Akcizën e naftës me para në dorë, ky është zotimi ynë dhe vendimet janë të miratuara në mënyrë përfundimtare”, vijoi Kryeministri.Duke iu referuarnjë takimi të kreut të PS në Durrës, Berisha ironizoi edhe deklaratat e Ramës se do udhëheqë vetë procesin e legalizimeve.“Ai ka marrë përsipër rolin e Nastradinit në autobusin mavi. Të tjerëve iu thotë se edhe Enveri të lëvizë nga varri nuk do ju lëvizim, por a nuk që ti që në Rashbull ju the banorëve, toka nuk është e juaja shkoni nga keni ardhur”, tha ai.Kryeministri më tej ftoi banorët të votojnë PD dhe numrin 44 ,për punësimin, rritjen e mirëqenies, për integrimin në BE, për zhvillimin, të ardhmen e tyre. Berisha premtoi rrugë të reja,ujësjellësa, shkolla të standardeve më të mira për banorët.“Këto vite në Bashkinë e Sukthit janë nderuar dhjetëra e dhjetëra km rrugë, shumica dërrmuese e banorëve marrin ujë 24 orë, janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. 4 vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët ne kemi financuar rreth 100 hektarë vreshta, drurë frutorë, sera do të trefishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vetë modern, terrene sportive, do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara. Dua të garantoj fermerët se vendimet e fundit të 3 muajve më parë autorizojnë qeveritë vendore të japë të gjitha tapitë për tokat kudo që ndodhen, do sjellim zyrën e hipotekës pranë cdo komune dhe bashkie të vendit. Po përfundojmë hartën dixhitale të tokës, për cdo shqiptar do marrin fund andrallat e mbivendosjeve”, përfundoi Berisha.Berisha më tej e zhvendosi mitingun elektoral në Vorë, ku ka kërkuar votën e banorëve për projektin e PD për punësimin.“Më 23 qershor së bashku le të votojmë për projektin tonë të punësimit, i cili bazohet në taksat të ulëta, në liri ekonomike më të madhe, i cili bazohet në rritjen e investimeve të huaja nga 4 miliard që morëm në këto 4 vite, në 6 miliard në 4 vitet që vijnë, i cili bazohet në trefishim e granteve, vendosjen e sistemit modern të vaditjes dhe rritjen e punësimit në këtë sektor, se bashku me rritjen në sektorin privat me 130 mijë punonjës, bazohet në rritjen e turizmit, nga 4,7 në 7 milion në 4 vite që vijnë, bazohet në ndërtimin gjatë 4 viteve që vijnë të gjigandëve të energjetikes, kaskadës së Devollit dhe më pas Kaskadës së Vjosës dhe qindra hec-ve të tjera me të cilat janë firmosur kontrata koncesionare dhe kanë filluar ose do të fillojnë ndërtimin e tyre, bazohen në dyfishimin e punësimit në teknologjinë e lartë të informacionit, nga 13 mijë që janë sot në 26 mijë gjatë viteve që vijnë, bazohet pra, në projekte konkrete, me të cilat vetëm parqet industriale që po ndërtohen vetëm në Tiranë, dy prej tyre, me 30 mijë vende pune” tha Berisha.“Ne duam që bashkia e Vorës në çdo skaj të saj të ketë infrastrukturën moderne , me rrugë dytësore, me rrugën e Maminasit, të ndërtojmë shkollën në Picar, të ndërtojmë stadiumin në qytetin e Vorës, të trefishojmë subvencionet për fermerët dhe të finalizojmë brenda vitit dhënien e të gjitha tapive,në Vorë dhe në të gjithë Shqipërinë” tha më tej ai, ndërsa prezantoi dhe kandidatët për deputetë në këtë zonë.Paskuqani ka qenë ndalesa e fundit e Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Berisha. Shefi i qeverisë për herë të parë ka zgjedhur ti përgjigjet direkt etiketimeve në adresë të tij për moshën.“Alternativa tjetër alternativa e mashtrimit. E jona bazohet tek besimi tek personi, liria e individit, vlera dhe solidariteti i familjes, puna dhe dashuria për familjen. Alternativa e shokut mavi bazohet tek mallkimi, sharja mallkimi dhe kërcënimi. Me lejoni ti them dy fjale. Rama, jeta jote personale nuk do jetë axhendë e imja, axhendë e imja do jenë qytetarët shqiptar, punësi, rrogat dhe pensionet e tyre, shërbimi shëndetësor i tyre infrastruktura shërbimi shëndetësor etj..Ti që ke bere vitet e mia axhendë elektorale tuajën do i them dy fjalë. Vitet e mija janë krenaria ime, janë bekimi i Zotit për cdo njeri. Cdo vit jete e ka bekim nga Zoti. Nipërit dhe mbesat janë urat e frymëzimit tim të jashtëzakonshëm, kur unë i shoh ata frymëzohem dy herë më shumë për të punuar për të gjithë fëmijët e Shqipërisë”, tha Berisha.Në përfundim të takimit, grupi i famshëm kosovar Elita 5 ka sjellë edhe himnin e ri për fushatën elektorale të PD për garën e 23 qershorit.