Turqit vijnë në “shtëpinë” e Rrumbullakut, dhurojnë pajisje dhe uniforma për policinë shqiptare

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Policinë e Shtetit.

Po ashtu, Policia turke i ka dhuruar Policisë shqiptare, një donacion që përfshin servera dhe pajisje për integrimin e disa prej programeve të Policisë së Shtetit dhe ruajtjen e të dhënave të tyre.

Donacioni i dhuruar nga Policia turke vjen pas shumë donacioneve të tjera të akorduara për Policinë e Shtetit, donacione që përfshijnë automjete, pajisje logjistike dhe uniforma, kryesisht për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe në shumë trajnime e module arsimore të ofruara nga Policia turke për Policinë shqiptare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke Mehmet Aktaş është pritur në një takim “kokë më kokë” nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Muhamet Rrumbullaku.

Të dy drejtorët e përgjithshëm vlerësuan marrëdhëniet mes dy policive, shkëmbimin e informacioneve për grupe dhe persona me aktivitet kriminal në fushën e krimit të organizuar, si dhe zhvillimin e operacioneve të përbashkëta për kapjen e personave të shumëkërkuar.

“Dua të falenderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë turke dhe ambasadorin e Turqisë, në Shqipëri, për ndihmën dhe kontributin e dhënë përmes donacioneve konkrete, në luftën ndaj sulmeve kibernetike, të cilat përgjatë muajit shtator, 2022, përfshinë sistemet teknologjike të Policisë së Shtetit shqiptar, si dhe për rritjen e sigurisë kibernetike në përgjithësi. Kjo ndihmë vjen në kuadër të bashkëpunimit intensiv me Policinë turke, bashkëpunim i cili e tejkalon nivelin protokollar dhe ka dimensionet e një miqësie të vërtetë dhe ndihme vëllazërore, në funksion të qëllimeve tona të përbashkëta.” – tha Rrumbullaku.

Ndëkrohë, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, gjatë fjalës së tij, është shprehur se pala turke është në gatishmëri për ta mbështetur kurdoherë policinë shqiptare, për çdo çështje e kërkesë që ajo ka.

Ai ka theksuar se do të trajtohet me përparësi çdo kërkesë e palës shqiptare dhe do të dërgohet menjëherë në Ankara, duke qenë se Shqipëria është partnere, mike e Turqisë.