Shqipëria blen dronë nga Turqia, Peleshi: Në 2023 do të kemi edhe një flotë Black Hawk
Është firmosur marrëveshja për blerjen e flotës së dronëve Bayraktar, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile.
Sipas kryeministrisë këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile dhe mbrojtjes së territorit.
Ndërkohë, në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se në vitin 2023 do të ndërtohet edhe flota e black hawks.
Peleshi:Ne do të rrisim kapacitete e ushtrisë duke blerë pajisje për FA-të. Në vitin 2023 do të ndërtojmë flotën e black hawks. Është viti ku me shpresë do të kemi kapacitete të mjeteve të reja dhe do të kemi avionë luftarakë pa pilotë. Është kënaqësi që marrëveshja bëhet me një firmë prestigjioze si Bayraktar.
Shpresojmë që këta dronë bayraktarë të mund t’i bëjmë edhe këtu në vendin tonë me pjesë montimi në vendin tonë. Bayaktar ndoshta mund të jetë partnerë të këtij bashkëpunimi që do të bëhet në Tiranë. Kjo është një paketë e plotë dhe jo vetëm blerja e disa mjeteve. Mirëmbajtja do të mbulohet për 5 vite.
Kryeministri Rama tha se marrëveshja u arrit falë partneritetit strategjik mes Turqisë dhe Shqipërisë, e cila sa vjen dhe forcohet dhe për këtë ai kujtoi miqësinë me presidentin Erdogan dhe pjesëmarrjen në dasmën e të bijës me shpikësin e dronëve Bajraktar.
Rama: Dhëndri po i sjell ca fat ushtrisë tonë, vendit tonë. T'ja nis atje ku duhet nisur, për të falenderuar presidentin Erdogan, i cili ka qenë thelbësor në këtë proces, të jemi të rreshtuar në një partneritet mjaft strategjik midis nesh dhe Repubikës së Turqisë. Kjo është një marrëdhënie e cila po bëhet gjithmonë e më e mirë.
Dronët që janë edhe të armatosur do të shërbejnë, sipas kryeministrit, dhe për mbrojtjen e territorit.
Rama: Nuk është diçka që lidhet vetëm me kohë lufte. Tre dronët që do të vijnë së pari do të jenë të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast kur dhe ku dhe shpresoj të mos ndodhë kurrë.
Kompania turke Bajraktar do të kujdeset dhe për trajnimin e një ekipi prej 30 personash të cilët do të përgatiten për të marrë përsipër funksionimin e qendrës së kontrollit në bazën ajrore të Kuçovës, që është baza e re ajrore e NATO-s.
