Greqia "mësyn" rajonin/ Në Kosovë për Serbinë, në Shqipëri për detin

Drejtuesit më të lartë të shtetit grek do të mbërrijnë të mërkurën (21 dhjetor) në Shqipëri për të zhvilluar diskutime mbi marrëdhëniet mes të dy shteteve, por edhe gjendjen e minoritetit në Shqipëri.

Mësohet se kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, do të zhvillojë vizitën e anuluar të datës 6 dhjetor në zonat minoritare.

Kështu takimet do të mbahen në Himarë, Livadhja dhe Dropull, ku pritet të jetë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Përfaqësimi politik në këto komuna dhe të drejtat e tyre pritet të jenë në qendër të vëmendjes si dhe fakti i një ure të rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve.

Një tjetër diskutim do të mbahet në Tiranë, ku ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, do të takojë homologen shqiptare Olta Xhaçka.

Bisedimet mes tyre pritet të zhvillohen në orët e para të mëngjesit për tu mbyllur më tej në një deklaratë për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse palët do të shprehen në lidhje me ndarjen e kufirit detar, për të cilën deri më tani është thënë se do ti drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare, çka mbetet një nga pikat më të rëndësishme të marrëdhënieve.

Por duket se Greqia në këtë fund të vitit po i kushton rëndësi situatës në rajon.

Dendias në fillim të javës zhvilloi edhe një takim në Beograd e më tej u ndal në Prishtinë, ku përcolli mesazhin qe dy shtetet duhet te respektojnë marrëveshjet e arritura.

Ai u deklarua në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e tha se BE duhet të jetë destinacioni përfundimtar për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të detyrueshme dhe sipas ligjeve ndërkombëtare. Ajo që është arritur deri më tani është e rëndësishme të zbatohet nga të dy palët. Nese respektohet marrëveshja e mbështetur nga BE-ja nëntorin e kaluar nuk ka rrezik dhe tensione.”

Ndërsa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla tha se të dy vendet ndajnë qëndrim të njëjtë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe për dialog në vend të kërcënimeve.

“Republika Helene dhe Republika e Kosovës, në politikën e tyre të jashtme janë në një linjë, Bashkimi Evropian, NATO, qëndrim të njëjtë dhe të qartë për luftën në Ukrainë, qëndrim të qartë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe dialog në vend të kërcënimeve, bashkëpunim në vend të pengesave.

Roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë me qëllim që pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithate kontaktet mes dy shteteve janë intesifikuar që me ardhjen e kryeministrit Mitsotakis në vitin 2019.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.