Bashkia Tiranë hap “thesin”, jep 1.1 mln euro për restaurimin e dy rrugëve para zgjedhjeve vendore
Në prag të zgjedhjeve vendore, Bashkia e Tiranës ka shtuar shpenzimet për ndërhyrje në rrugët e Tiranës. Së fundmi janë shpallur edhe dy prokurime të tjera dhe janë planifikuar të shpenzohen 1.1 milionë euro për restaurimin e dy rrugëve të kryeqytetit. Pjesa më e madhe e punimeve parashikohet të përfundojë pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore.
Asfalti elektoral vijon të jetë kryefjala në prokurimet publike të Bashkisë së Tiranës. Së fundmi, janë shpallur dhe dy prokurime të tjera për restaurimin e dy rrugëve të tjera të kryeqytetit me vlerë totale 129 milionë lekë, ose 1.1 milionë euro.
I pari është për restaurimin e rrugës së “Malësorëve”, ku Bashkia do të shpenzojë 607 mijë euro. Ndërkohë sipas dokumenteve të tenderit, përfundimi i punimeve për këtë rrugë, parashikohen të mbyllen brenda 5 muajve që nga nënshkrimi i kontratës, duke koinçiduar edhe me afatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Prokurimi tjetër i Bashkisë së Tiranës, është për restaurimin e rrugës tek Liqeni i “Çerkezës”. Për këtë segment do të shpenzohen 524 mijë euro, ndërsa kompania që do të marrë përsipër punimet, do të duhet të kryej punën brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Duke parë afatet e vëna për përfundimin e punimeve, koha përkon me muajin kur do zhvillohen edhe zgjedhjet vendore.
Para disa javësh, institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj, ka shpallur dy tendera me vlerë 2.2 milionë euro për restaurimin e rrugëve “Agallarëve” në Njësinë Administrative Farkë, si dhe për restaurimin e rrugëve “Ali Progri”, “Jordan Misja”, “Rreli” dhe “Albanopoli”.
Edhe në muajin tetor, kjo Bashki shpalli tenderin prej 8 milionë eurosh për shtrimin e akseve të amortizuara në njësitë administrative të Tiranës.
Ndërkaq në këtë mandat të dytë, denoncimet e qytetarëve por edhe të mediave për rrugët e dëmtuara dhe të pasistemuara, kanë qenë të shumta. Por me sa duket refuzimi për të reaguar përgjatë mandatit po përkthehet në reagim për fushatë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
