Adoleshentët hajdutë vodhën biçikleta e motoçikleta në Shkodër

Katër të mitur, 14 dhe 15 vjeç vidhnin biçikleta dhe motoçikleta nëpër qytetin e Shkodrës dhe më pas i shisnin tek një 55 vjeçar.

Policia e Shkodrës thotë se adoleshentët, 14 dhe 15 vjeç, banues në Shkodër dhe Lezhë janë autorë të të paktën 4 vjedhjeve brenda këtij muaji.

Ka rezultuar, se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të disa vjedhjeve, konkretisht:

-Më datë 19.12.2022, në lagjen “Vasil Shanto”, në ambientet e poliklinikës së qytetit, kanë vjedhur një celular;

-Më datë 16.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, kanë vjedhur një motoçikletë;

-Më datë 01.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, kanë vjedhur një biçikletë;

-Më datë 01.12.2022, në lagjen “Skenderbeg”, në oborrin e Spitalit Rajonal Shkodër, kanë vjedhur një motoçikletë.

Për shkak të moshës ata do hetohen në gjëndje të lirë, ndërsa ka nisur procedimi në gjendje të lirë, edhe për shtetasin A. M., 55 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, pasi dyshohet se duke patur dijeni, ka blerë një biçikletë të vjedhur nga të miturit.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.