Dendias në Prishtinë: Kosova e Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, mbështesim dialogun

Ministri i Jashtëm grek deklaroi se është e rëndësishme që në mes të Kosovës dhe Serbisë të zbatohen marrëveshjet që janë arritur deri më tani dhe të mos ketë përshkallëzim të situatës.

Ai ndodhet sot në Prishtinë dhe pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla mbajti konferencë për media.

“Siç kemi biseduar, e mbështesim diskutimin Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të detyrueshme”, ka deklaruar Dendias.

Ai ka theksuar se duhet të zbatohen marrëveshjet nga të dy palët.

“Ne i përshëndesim dialogun me Beogradin. Është e rëndësishme që ato që janë nënshkruar të zbatohen këtë e theksova edhe dje në Beograd. Mbështesim rolin e EULEX-it që ka në Kosovë po ashtu edhe Lajçakun dhe Escobarin. E nderuara Donika është zotimi ynë që Ballkani Perëndimor të jetë në rrugën drejt BE-së”, tha Dendias.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është destinacioni i fundit për gjithë Ballkanin Perëndimor, andaj duhet shtyrë bashkëpunimin në aspekt të stabilitetit dhe prosperitetit.

Më tej theksoi se Greqia është e gatshme të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në fushën energjisë, duke përmendur kështu largimin e Kosovës nga varësia e thëngjillit.