Serbët në ditën e 10 të protestave, nxënësit e fillores kthehen në shkollë
Serbët në veri të Kosovës dhe Metohisë kanë hyrë në ditën e dhjetë të protestave, për shkak të arrestimit të disa shtetasve serbë dhe pranisë së policisë së Kosovës, në veri. Ndërkohë kryeministrja serbe Ana Brnabiq, është shprehur për mediat se serbët në Kosovë dhe Metohi janë në protesta sepse kërkojnë të drejtat elementare të njeriut dhe asgjë më shumë.
Veriu i Kosovës dhe Metohisë vijon të mbetët i bllokuar, teksa barrikadat vijojnë në ditën e 10 në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ndërsa të mbyllura janë vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak.
Serbët kërkojnë lirimin e bashkëatdhetarëve të tyre dhe largimin e policisë së Kosovës.
Sa i përket shkollave, duket se ka nisur normaliteti pasi nxënësit e fillores janë rikthyer në mësim, ndërsa gjimnazistët po vijojnë mësimin online. Sipas mediave serbe, nata ka kaluar e qetë por serbët kërkojnë tërheqjen e forcave special të Policisë së Kosovës, nga veriu i saj.
Sa i përket kësaj të fundit, KFOR-i ka shtuar patrullimet e saj, teksa helikopterët vijojnë fluturimet mbi barrikada. Prania e policisë së Kosovës është e pranishme në vendet ku ka pasur tensione, kryesisht ndërmjet pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.
Ndërkohë pas tensioneve të ditëve të fundit, kryeministrja Ana Brnabiq për mediat serbe është shprehur se serbët kërkojnë të drejtat themelore të njeriut dhe asgjë më shumë, teksa i frikësohet përshkallëzimit të situatës, në veri të Kosovës.
Sipas kryeministres Brukseli dhe Washingtoni i dëgjojnë serbët në Kosovë, vetëm kur janë në barrikada teksa shprehet e zhgënjyer me komunitetin ndërkombëtar.