“Tensionet në veri, Beogradi në panik”, Kurti për “Der Spiegel”: Serbia të zgjedhë mes Perëndimit e Rusisë

Situata e tensionuar në veri të Kosovës është për shkak të “panikut të Beogradit”. Është ky vlerësimi i kreut të qeverisë së Kosovës Albin Kurti, I cili për mediat gjermane deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Serbisë që të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për “Der Spiegel”, ka folur për situatën e krijuar në Veri.

Ai tha se situata e tensionuar në veri është për shkak të “panikut të Beogradit”.

Kurti deklaroi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Serbisë që të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë”.

Duket se Vuçiçi dëshiron ta kthejë Serbinë në të kaluarën. Por, ky tren, tha Kurti, është larguar. Kreu I qeverisë së Kosovës ka deklaruar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të deklaratës së pavarësisë dhe se nuk ka gjykatë më të lartë në këtë planet që mund ta zhbëjë këtë.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj ka thënë se serbë të armatosur të cilët janë prorusë, do të vijnë këtë të dielë në Jarinjë, dhe nisur nga kjo ai ka kërkuar që në veri të ketë prani të FSK-së.

“Meqë serbët prorusë dhe të armatosur nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska po vijnë të dielën në mesditë në Jarinjë, pikërisht kjo është një situatë kur atje do të duhej të ishte FSK-ja”, është shprehur përmes rrjeteve sociale deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj.