Kërcënimet me bombë, Gjermania udhëzon qytetarët të jenë vigjilent gjatë udhëtimit në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin paralajmëron qytetarët gjermanë që të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm kur udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për shkak të kërcënimeve me bombë.
“Kërcënimet me bombë ndaj institucioneve dhe objekteve publike janë regjistruar së fundi në kryeqytetin Shkup. Fillimisht ata synuan shkollat dhe objektet qeveritare, por hotelet dhe institucione të tjera joqeveritare janë prekur që atëherë. Më në fund, ishte i nevojshëm evakuimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku trafiku duhej të ndalohej përkohësisht. Duhet pasur parasysh kufizimet dhe problemet e trafikut”, thuhet në informacionin e MPJ-së gjermane.
Berlini thekson se deri më tani gjithçka “mbetet nën kërcënim” dhe qytetarëve gjermanë u kërkohet të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm, si dhe të informohen nga media të besueshme lokale dhe sociale në lidhje me situatën aktuale dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve lokale dhe forcave të sigurisë.
NATO u informua për kërcënimet me bombë.
Disa objekte në Maqedoninë e Veriut janë evakuuar dje për shkak të raportimeve për mjete shpërthyese, të cilat, si në ditët e kaluara, rezultuan të rreme. Autoritetet njoftuan dje strukturat e NATO-s për raportimet e bombave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dje tha se për të punuar në rastin e kërcënimeve me bombë dhe se në MPB është krijuar një shtab special:
“Pres që të mblidhet Këshilli Koordinues, në të cilin do të diskutojmë për aspektin e sigurisë kombëtare, sepse këtu duhet të përfshihet edhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe institucionet tjera që janë të rëndësishme në këtë pjesë. Sepse, nëse raportimet janë njoftim për terrorizëm, atëherë duhet të përfshihemi të gjithë në këtë për të stabilizuar gjendjen”, theksoi Spasovski.
