Në veri të Kosovës vihet barrikadë e re
Serbët kanë ngritur një barrikadë të re në veri të Kosovës në lagjen "Berxhane" rrugës për në Zveçan. Incidenti u raportua nga policia e Kosovës në të njëjtën kohë kur lista serbe e cilësoi provokuese vizitën e ministrit të Brendshëm të Kosovës në veri të vendit. Për shkak të situatës së tensionuar atje, KFOR ka shtuar prezencën ushtarake në zonë.
Policia e Kosovës njoftoi të shtunën se natën e kaluar një barrikadë e re është vendosur në veri të Kosovës.
Sipas raportit, pengesa e re rrugore është vendosur në lagjen "Berxhane" që të çon për në Zveçan.
Të shtunën Lista Serbe, ka thënë se vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë të premtes në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjak, është provokim “me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”.
Incidenti ka ndodhur tetë ditë nga nisja e tensioneve dhe ngritja e barrikadave të tjera në rrugët e zonave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Situata në Mitrovicë po ndiqet me vëmendje të shtuar edhe nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili raportoi këtë të shtunë tha se gjatë kësaj jave ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës.
KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha KFOR përmes një reagimi për mediat.
Po ashtu, KFOR tha se rritja e prezencës ushtarake ka nisur që nga muaji tetor, ndërsa shtoi se pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forces, në mënyrë që të ofrohet siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë.
Barrikadat u ngritën nga serbët e Kosovës në rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-efektivit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Sipas autoriteteve kosovare, Pantiç ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit dhjetor, të cilët po organizinin zgjedhjet e pjesshme vendore në veri, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t'u larguar nga institucionet e Kosovës.
Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë shtyrë në prill të vitit të ardhshëm.
