Kosovë/ Nëntë barrikada në ditën e 11-të të bllokimit të veriut
Prej 11 ditësh vijojnë barrikadat në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjakë.
Policia e Kosovës ka thënë se janë nëntë barrikada të vendosura dhe bllokimi ka krijuar rrethana të reja pune dhe ka ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të zonës, që s’po mund të lëvizin lirshëm e të kenë qasje në shërbimet e nevojshme.
“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë të martën.
Bllokadat në veri vijojnë të jenë të ngritura që kur policia arrestoi ish-policin serb, Dejan Pantiç, si të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së në tentimin për t’i organizuar zgjedhjet në mes të dhjetorit.
Ndërkohë dje Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Angelo Michele Ristuccia.
Presidenca nuk dha shumë detaje rreth takimit, por se takimi ishte përqëndruar në zhvillimet e fundit dhe sigurinë në vend.
