Shansi i fundit për të formuar qeverinë e re brenda koalicionit pro-rus në Malin e Zi
Pas uljes së kompetencave të presidentit Millo Gjukanoviç nga shumica parlamentare, këta të fundit do të tentojnë të formojnë një kabinet të ri qeveritar për të cilin kreu i shteti ishte kundër. Nëse nisma dështon edhe këtë herë, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të jenë zgjidhja e vetme për daljen e vendit nga kriza politike.
Koalicioni pro-rus, njëherazi fituesi i zgjedhjeve të 2020-s në Mal të Zi kërkon nga presidenti Millo Gjukanoviç të nisë bisedimet me qëllim që t’i japë mandatin kandidatit të tyre për të formuar qeverinë.
Mos mandatimi i Miodrag Lekiç për të formuar qeverinë e re i kushtoi kreut të shtetit uljen e kompetencave pasi maxhoranca miratoi të ashtuquajturin Ligji për Presidentin edhe pse Komisioni Venecia ishte kundër tij.
Ligji për Presidentin e zhvlerëson rolin e presidentit Gjukanoviç në formimin e qeverisë së re, kur maxhoranca ka 41 deputetë, pra shumicë minimale në Kuvendin me 81 ulëse.
Gjukanoviç ka thënë se nuk do të nisë bisedimet për zgjedhjen e qeverisë së re, çka tani kjo nismë do t’i mbetet Kuvendit dhe me gjasë Miodrag Lekiç ka lëvizja Demos do të jetë kryeministri i ri.
Por përpara se të shkojmë deri këtu, partitë pro-serbe e pro-ruse, Dritan Abazoviç dhe ish-kreu i Kuvendit Aleksa Beçiç duhet të bien dakord për ndarjen e kabinetit qeveritar.
Kjo do të jetë hera e tretë që palët që fituan zgjedhjet në 2020 mblidhen për të përcaktuar rolin e tyre në qeverinë e re.
Nëse edhe këtë herë takimi dështon, maxhoranca duhet të bjerë dakord me opozitën e udhëhequr nga Gjukanoviç se Mali i Zi duhet të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme.