Vuçiç pret admiralin e NATO-s në Beograd, i kërkon të mbrojë serbët në veri
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Stuart Munsch takoni sot presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug informon se presidenti i ka kërkuar admiralit që NATO të mbrojë serbët në veri të Kosovës.
Ndërkohë në një intervistë për agjencinë serbe, Beta, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Stuart Munsch deklaroi se KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës.
Ai shtoi se KFOR-i është "plotësisht i aftë dhe i gatshëm të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit nga viti 1999”.
“Që nga tetori ne kemi shtuar praninë, ndër të tjera, duke shtuar forcat, si dhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë. Presim që të gjithë aktorët të jenë në koordinim të ngushtë me misionin e KFOR-it dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të ruhet siguria e të gjitha komuniteteve", tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është ende në pritje të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, por se "nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë".
