Kurti: Kush synon ta destabilizojnë Kosovën, do të dështojë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë, dhe se për këtë temë janë në koordinim të rregullt me KFOR-in.
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha ai
I pyetur rreth kërkesës së Serbisë, lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, ai tha se kjo është kërkesë jo reale.
“Kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet.
Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, tha ai.
Kurti është pyetur edhe për protestën e grupeve djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës, e cila u mbajt këtë të dielë afër Jarinjës, pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti deklaroi se ata që po synojnë të destabilizojnë Kosovën do të dështojnë.
“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik [Vladimir] Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje.
Synimi i tyre ishte të hynë në Kosovë, nuk ishin në numër çfarë ata e kishin menduar dhe paralajmëruar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht që janë kujdesur për sigurinë dhe paqen”, tha ai.
Pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë qenë prezentë në anën kosovare të pikëkalimit në Jarinjë të dielën në ditën e mbajtjes së protestës.

