Mungesa e avokatit shtyn pretencën për 6 të pandehurit që akuzohen për vrasjen e babë e bir
Teksa sot prokuroria e posaçme SPAK, kishte planifikuar të lexonte konkluzionet përfundimtare ndaj 6 të pandehurve për ngjarjen kriminale të vrasjes së Nezir dhe Gentjan Beqirit në Elbasan, seanca gjyqësore është shtyrë.
Shkak është bërë mungesa e avokatit Neshat Fana, i cili nuk mundi të ishte prezent në gjykatë.
Nisur nga kjo situatë, njëri nga të pandehurit që mbron z.Fana në këtë proces, i kërkoi gjykatës që të mos vijonte zhvillimin e seancës, pa prezencën e avokatit të tij mbrojtjes.
Për pasojë gjyqtarja, Etleva Deda, vendosi të shtyjë seancën, duke vendosur datën 28 dhjetor për dëgjimin e pretencës së prokurorit, Behar Dibra.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen si autorë të vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit e ndodhur në gusht 2012, shtetasit Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokoli, Olsi Leku, Ardjan Çapja dhe Florenc Çapja.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
