Dënohet me 8 vjet e 8 muaj burg ish-truproja e Sajmir Tahirit, përfitoi gjykim të shkurtuar
Ish-truproja i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dënohet me 13 vite burgim nga Gjykata e Posaçme për trafikim droge nga të cilat do të vuajë vetëm tetë vite e 8 muaj heqje lirie.
Hekuran Marku u arrestua në Gjermani me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme dhe më pas u ekstradua në Tiranë për tu përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Prokuroria kishte kërkuar 12 vjet heqje lirie, por gjykata e ashpëërsoi dënimin në 13 vjet. Megjithatë ish truproja i ministrit të Brendshëm përfitoi uljen e një të tretës si pasojë e gjykimit të shkurtuar.
Implikimi i Markut në aktivitetin kriminal u zbulua nga prokuroria gjatë hetimeve dhe përgjimit të personave të dyshuar në kuadër të dosjes “Shpirti”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në trafikimin e drogës dhe favorizimin e këtij aktiviteti kriminal.
Hekuran Marku u arrestua në Gjermani në gusht 2021, ndërkohë që ka punuar si truproje e Saimir Tahirit përgjatë viteve 2014 deri në 2016. Më 1 prill Marku u ekstradua nga Gjermania, për tu përballur me GJKKO me akuzat e ngritura nga SPAK.
Sipas akt-akuzës së SPAK, gjatë kësaj kohe Marku bashkëpunoi me një grup prej katër italianësh dhe me shtetasin Eltjon Bregu, në trafikimin e një ngarkese prej rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.
I përfshirë në këtë skemë dyshohet se ka qenë edhe Agustin Deda, truproja tjetër i Saimit Tahirit i arrestuar gjithashtu jashtë shtetit në Francë.
Episodi tjetër i dosjes Shpirti, është hetuar nga SPAK duke dërguar në gjyq 31 të pandehur për trafikim narkotikësh në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Mes të akuzuarve janë ish-prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe Ilirjan Balla, ish-shef I sektorit të antitrafiqeve në Policinë e Shtetit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
