“Demokracia” e zhytur në llucë/ Lagjja në Lezhë, 3 dekada në pritje të rrugëve të fushatës
Asfalt në vend të llucës, mbetet kërkesa e banorëve të lagjes “Demokracia” në Lezhë, që prej 3 dekadash janë ende në pritje të rrugëve të premtuara në çdo fushatë elektorale.
Këto pamje tregojnë gjendjen e rrugëve në lagjen “Demokracia” në Lezhë sa herë ka reshje shiu.
E tillë mbetet situata edhe disa ditë më pas.
Lëvizja e këmbësorëve veçanërisht bëhet e vështirë nga uji e balta.
“Këtu nuk mund të ecësh në këmbë. Fëmijët i kemi marrë në krahë, për ti çuar në shkollë,” thotë një banor.
Ironik është fakti se problematika sipas banorëve është po aq e vjetër sa është edhe demokracia, në Shqipëri.
“Nuk është tani. Ka 30 vjet kjo gjendje kështu.
Këtu janë vendosur turbinat sipas qejfit të njerëzve, gjatë 30 viteve.
Hedhin zhavorr, zhavorrin e merr uji, zhavorri s’është për këtë punë,” thonë ata.
Premtimet për ndërhyrje në infrastrukturën rrugore nuk kanë munguar në çdo fushatë elektorale, por investimet kanë munguar, shprehen banorët.
“Sa fushata janë bërë, janë premtime gjithmonë. Asnjë punë nuk është bërë.
Premtime janë bërë, po varet se çfarë realizohet. Premtohet në kohë fushate,” thonë ata.
Bashkia Lezhë bën me dije se gjatë tre viteve të fundit, janë rehabiluar 42 km rrugë, dhe së shpejti puna do të nisë edhe tek Lagjia "Demokracia".
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
