Dënohet me 15 vjet burg spiuni iranian, po planifikonte sulm terrorist ndaj MEK
Shtetasi iranian, Bijan Pooladrag, i akuzuar si spiun, është dënuar këtë të mërkurë më 15 vite burgim nga të cilat do të vuajë vetëm dhjetë vjet heqje lirie si pasojë e gjykimit të shkurtuar. Sipas SPAK, iraniani dyshohet se po planifikonte sulm terrorist në kampin e MEK në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vite burg iranianin Bijan Poladrag, të akuzuar nga SPAK për terrorizëm.
Procesi ndaj tij u zhvillua me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht u dënua me 10 vite heqje lirie.
Prokuroria e Posaçme i kishte rendituar ndaj iranianit 6 vepra penale për të cilën 4 akuza ranë dhe përfundimishit u dënua vetem për veprat penale“kryerja e shërbimeve për persona të shpallur në kërkim” dhe “organizatë terroriste.”
Avokatët mbrojtës e quajtën të padrejtë vendimin duke theksuar se qëllimi i tij është vetëm përmirësimi i 'statistikave' të gjykatës në fund të vitit.
Iraniani dyshohet se ka qenë pjesë e anëtarëve të muxhahedinëve dhe banor i kampit në Manëz.
Sipas prokurorisë, ai vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulm terrorist.
Në kuadër të këtij hetimi me kërkesë të SPAK janë ushtruar kontrolle të ndryshme në banesa dhe shoqata të disa shtetasve nga Irani, me dyshimet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të spiunazhit, kundër opozitës iraniane në mërgim që strehohet në Manëz.
Bijen Pooladrag iu zbuluan biseda me persona që jetojnë në Iran dhe që dyshohet se janë pjesë e Gardës Revolucionare.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
