“Dosja 184”, dënohen zyrtarët e PS në Dibër, fajtorë për tjetërsimin e votës në 2016
Gjykata e Dibrës ka konfirmuar blerjen dhe tjetërsimin e votës në zgjedhjet e pjesshme lokale, të vitit 2016. Dy ish zyrtarë lokale të Partisë Socialiste, u gjetën fajtorë si pjesë e “Dosjes 184”. Ish-kreu i Policisë Lokale Robert Aga dhe ish administratori i Lurës ende presin vendimin në një proces që po zvarritet.
Gjykata e Dibrës dënoi të martën me 2 vjet burg me kusht, dy ish-zyrtarë lokalë të Partisë Socialiste, të përfshirë në Dosjen 184, për blerje dhe tjetërsim të votës në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë, në vitin 2016.
Ish-kreu i Zyrës Arsimore, Drini Gjeçi dhe ish-administrator i njësisë Tomin, Nuri Meda, po ashtu u ndaluan nga Gjykata të ushtrojnë funksione publike për dy vjet.
Gjyqtari Edvan Veçani në përfundim të procesit që u zvarrit për disa muaj edhe pse u zhvillua me proçedurë të shkurtuar, tha se vendimi ishte sipas kërkesës së prokurorit të çështjes, Urim Buçi.
Avokati i dy ish-funksionarëve pretendoi në seancë, se Prokuroria nuk e kishte provuar akuzën për të dy të pandehurit dhe nuk kishte marrë dëshmitë e personave që pretendohet se ishin kanosur për të votuar kandidatin e Partisë Socialiste, për bashkinë Dibër.
Dosja "184" u regjistrua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, për dyshime mbi shitblerje të votës në zgjedhjet e Dibrës, kur fitues doli Muharrem Rama i PS, përballë Sherefedin Shehut të PD.
Në vitin 2019 gazeta gjermane "Bild", publikoi disa nga përgjimet e saj, duke shkaktuar reagime të forta për shkak se protagonistë në to ishin ish-ministra dhe zyrtarë të lartë, të Partisë Socialiste.
Dosja u tranferua disa herë nga SPAK në Dibër, ndërsa pas katër vitesh më në fund u dërgua në Gjykatë, në fund të vitit 2020, vetëm për 4 të pandehur.
Për ish-kryebashkiakun e Dibrës, Dionis Imerajn, Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashi, dhe Afrim Miklin, hetimi u pushua.
Ndërsa ish-shefi i Policisë së Dibrës, Robert Aga dhe Hasan Hoti, ish-administrator i Lurës, po zhvillohet në një gjyq normal, proces që po zvarritet prej disa muajsh, për arsye të ndryshme.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.