"Politikani që ke frymëzuar më shumë dhunën"/Spiropali revolton deputetët e Berishës, Spaho: Turp, je dhe grua!
Grushti ndaj Sali Berishës në 6 dhjetor, ditën kur opozita protestonte dhe në Tiranë mbahej Samiti BE-Ballkani Perëndimor, nxehën gjakrat edhe në seancën e sotme në Kuvend.
Berisha akuzoi dhe njëherë kryeministrin si Edi Rama si organizator të dhunës.
Në përgjigje Elisa Spiropali e nisi me dënimin e dhunës por ju referua Berishës si personi që më shumë se kushdo ka frymëzuar dhunën në politikë dhe shoqëri.
"E di që shumëkush ka përmendur të kaluarën tuaj si për të thënë e kujtuar se je politikani që më shumë se kuhdo ka frymëzuar dhunë në politikë dhe shoqëri, e dëshmuar dhe sot fatkeqësisht në këtë foltore. Kanë përmendur faktin se keni goditur shumëkënd dhe keni përdorur dhunën si mjet për të arritur qëllimet tua".
Kaq mjaftoi që deputetët demokratë të grupit të Berishës të protestonin.
"Të të vijë turp se je grua" tha Spaho dhe shumë shpejt lanë sallën në shenjë proteste.
"Forca ime poltike dhe unë personalisht jemi kundër dhunës. Po ushtroni dhunë nëse nuk e dini. Qetësohuni. Jemi kundër dhunës në mënyrë më absolute dhe kur ajo drejtohet verbërisht kundër kundërshtarëve tanë. Ne nuk bëjmë dallim mes grushtit që godet kundërshtarin apo grushtave dhe plumbave godasin mbështetësit tanë. Jemi kundër dhe kur dhuna shënon një njeri si ju një politikan që ka qenë president, kryeministër dhe drejtues i lartë në këtë vend.
Dhe kur kthehet si monedhë ndaj atij që edhe nga kjo foltore sot ushtroi dhunë kundër të gjithëve ne. Ne besojmë se vota është ndëshkuesi në politikë dhe drejtësia ai pushtet që bën fajtor dhe gjykon fajtor politikanët, jo dhuna. Nuk kam asnjë tagër të këshilloj Berishën, por kthehej kokën pas, zhytu në kujtesën tëndë dhe mundohu njëherë të jesh i sinqertë, të thuash të vërtetën.
Bëhu i sinqertë me veten dhe kujto çfarë ke bërë vetë dhe do të kujtosh se ke qenë shkak i plumbave të zbrazur, varreve të hapura dhe gjakut në fytyrën e kundërshtarëve të tu dhe në asnjë rast nuk ke ndjerë keqardhje për ta. Por unë sot ndjehem e keqardhur që një agresor u bë shembull i një dhune të shëmtuar".
