SHBA monitoron zgjedhjet në SPAK, Kim: Drejtuesi të luftojë krimin e korrupsionin. Rama: KLP të mos dëgjojë askënd

Në javën vendimtare për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK dhe vetëm pak ditë para votimit në KLP, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama, shkëmbyen sërish deklarata për këtë çështje. Diplomatja e SHBA tha se po e vëzhgon nga afër procesin dhe se zgjedhja e drejtuesit të ri nuk duhet të influencohet nga ata që dëmtojnë hetimet. Por kryeministri Rama u bëri thirrje anëtarëve të KLP, të mos dëgjojnë debatet dhe të vendosin vetë për këtë çështje.

Ambasadorja amerikanë në Tiranë Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama, u përfshinë në një shkëmbim deklaratash e qëndrimesh publike në lidhje me zgjedhjen e kreut të ri, të SPAK.

Ka qenë diplomatja amerikane në Tiranë, që përmes disa postimeve në Twitter, ka kërkuar që përzgjedhja e titullarit të ri të institucionit, të mos ndikohet nga ata që duan të dëmtojnë hetimet.

Yuri Kim ka thënë se Shtetet e Bashkuara, do ta monitorojnë nga afër këtë proces për tu siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara.

Diplomatja amerikane në vendin tone, ka theksuar se javën e fundit është takuar personalisht me çdo anëtar të KLP, për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsonit dhe krimit të organizuar.

"Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një shefi të ri të SPAK-ut, i cili - pa frikë e favor - do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura"

Sipas ambasadores amerikane, procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interesa për të kufizuar ose manipuluar hetimet.

Ky është thelbi i reformës në drejtësi, thekson Yuri Kim duke shtuar se drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit dhe prokurorët e gjyqtarët, duhet të jenë të barabartë para ligjit. Sipas Kim, reforma në drejtësi nuk është vetëm kërkesë e integrimit në BE, por edhe e popullit shqiptar, ndaj Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin zbatimin e saj.

Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.

Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara," tha ajo.

Komentet e ambasadores sollën reagimin e Edi Ramës i cili thotë se është plotësisht dakord me Yuri Kim dhe bën thirrje për të ndalur thashethemet.

“Boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, as vulorja e fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet.”

Rama nënvizon se anëtarët e KLP duhet të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve. Kryeministri kujton se anëtarët e KLP, japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.

„Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër.”

Këtë të premte Këshili i Lartë i Prokurorisë do të mbidhet për të zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK. Në garë janë tre prokurorë, Altin Dumani, Edvin Kondili, dhe Adnan Xholi të cilët më herët kanë dorëzuar platformat e tyre. Arben Kraja do të vijojë të jetë sërisht në SPAK si prokuror i thjeshtë edhe për të paktën 6 vite të ardhshme.