Turp për të denoncuar dhunën seksuale, periferia fsheh më shumë abuzimin, edhe djemtë minorenë janë viktima

Shqiptarët vijojnë ende të mos e denoncojnë dhunën, sidomos dhunën seksuale. Ines Leskaj, drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit për Fuqizimin e Grave Shqiptare (AWEN) thotë se një nga arsyet e mosdenoncimit të kësaj dhune është edhe mentaliteti.

"Kryesorja është çështja e vetëdijësimit, ndergjegjësimit të familjeve, nënat, prindërit, të cilët shpesh herë kur e dëgjojnë si fenomen thonë: Boll se do na turpërosh familjen!"

Të dhunuar seksualisht janë edhe djemtë, sidomos minorenët.

"Gati e pamundur për shkak të këtij mentaliteti, që djemtë të dalin dhe të raportojnë që kanë qenë viktima të abuzimit seksual, ndërkohë që ka raste të raportuar dhe që i ndjek, kryesisht minorenë."

Studimi i bërë nga AWEN tregon se në çdo qytet të Shqipërisë dhe në çdo nivel shoqëror dhuna seksuale është e pranishme, vetëm se në periferi raportohet më pak.

"Ndodh gjithandej, në çfarëdo lloj ambjenti, të pasurish apo të varfërish, përfshirë këtu dhe zonat gjeografike. Ajo që duhet të theksoj është fakti se e kanë pak më të vështirë zonat periferike të gjejnë mundësinë të flasin, të gjejnë kurajon të flasin. Edhe kur gjejnë kurajon kanë shumë pengesa të tjera".

Viktimat e dhunës seksuale trajtohen në qendrat shtetërore ose private, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore dhe psiokologjike.

Ka pasur edhe raste kur janë dashur vite të tëra për rehabilitimin e tyre.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.