Një vit pa shtëpi e ndihmë, 3 familje me 15 anëtarë në Shtyllë të Korçës në qiell të hapur
15 anëtarë të tre familjeve në fshatin Shtyllë të Korçës mbetën pa një kulm mbi kokë me 28 nëntor të vitit 2021 pasi banesat ku jetonin u përfshinë nga flakët dhe u shkrumbuan.
Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga ajo ngjarje dhe u premtua që shtëpitë do të rindërtoheshin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
"Jemi takuar shumë herë me kryetarin e bashkisë, na ka premtuar për strehë dhe nuk na dha."
"Ndihmë nga shteti nuk ka pasur. Bashkia nuk ka ardhur ti shohë këta njerëz se ku jetojnë, se çfarë hanë, se çfarë bëjnë. Falenderoj vetëm disa shoqata që sollën ndonjë makaronë, ndonjë oriz."
Familjarët nuk ka marrë as para dhe as bonus qiraje për të jetuar diku tjetër.
"Nuk kemi marrë asgjë."
"Jemi me qira, nuk marrim bonus nga bashkia."
15 anëtarët e tre familjeve, më i vogli një vjeç, janë strehuar me qira në godina të tjera, qira të cilën e paguajnë vetë. Ndërkohë që presin mbajtjen e premtimeve nga pushteti lokal.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
