Kishte vetëm dy ditë që qëndronte në shtëpi, FNSH kap Sali Zenelin, mikun e Taulant Manajt

Është arrestuar në Vlorë Sali Zeneli, kushëriri i Taulant Beqirit alias Manaj, i dënuar nga gjykata e këtij qyteti me 6 vite heqje lirie për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve”.

Sali Zeneli, rezulton të jetë personi që vetëm pak çaste pas vrasjes së Beqirit, në 10 mars 2021 në rrugën “Transballkanike”, ka reaguar me armë, duke qëlluar dy herë drejt makinës “Ford-Fokus” ku ndodheshin autorët Elton Hajnaj, Skerdian Gabrani dhe Hansi Jonuzi.

Prej 3 marsit, Zeneli ka qëndruar në arrati, duke u fshehur në disa zona të Tiranës dhe Sarandës.

Por arratia e tij ka marë fund mesnatën e djeshme, ku një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Policisë së Vlorës, e arrestuan duke mos i dhënë asnjë mundësi largimi.

Ora News ka mësuar se Sali Zeneli është kapur në ambjentet e shtëpisë së tij në Vlorë.

Zeneli kishte vetëm dy ditë që qëndronte në banesë, pasi prej disa kohësh ai fshihej në dy apartamente në Tiranë dhe Sarandë.

Por pikërisht momentin kur ai ka shkuar në shtëpinë e tij, policia ka ndërhyrë duke kryer arrestimin.

Tashmë Sali Zeneli duhet të vuajë dënimin e marë nga gjykata për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Në përplasjen me armë të datës 3 mars 2021 në rrugën “Transballkanike” në Vlorë rezultoi se të dyja palët ishin të pajisura me armë zjarri, dhe dukshëm ishin përgatitur për një sulm të tillë që përfundoi me një viktimë.

Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Manaj në Vlorë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për rreth 20 mijë euro.

Viktima që njihej edhe me mbiemrin Beqiri dyshohet se kishte detyrim financiar, ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip “Benz-Mercedez”, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.

Në pamjet filmike që ka sekuestruar policia, rezulton se pas të shtënave me automatik, të dyja palët janë larguar me shpejtësi me qëllim për të mos u kapur nga policia.

Në ikje e sipër, automjeti që drejtohej nga Hansi Jonusi, ku brenda të cilit ndodheshin Gabrani dhe Hajdaj është qëlluar plot tre herë me armë zjarri nga Sali Zenelaj që ndodhej në një automjet tjetër “Renault Laguna”.

Në makinën tip “Ford-Fiesta”, është konstatuar xhami i bagazhit i thyer dhe dy vrima plumbash në pjesën e prapakolpit të automjetit.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes viktimës Taulant Manaj ju sekuestrua në brez një armë zjarri pistoletë, të cilën nuk mundi ta përdorë dhe 4 aparate telefonike.

Për këtë ngjarje gjykata e Vlorës deklaroi fajtor dhe dënoi me 21 vite burgim autorin e vrasjes Elton Hajnaj, i cili ende vijon të jetë në kërkim.

Ndërsa tre personat e tjerë, Sali Zeneli u dënua me 6 vjet heqje lirie, Hansi Jonuzaj me 4 vjet heqje lirie dhe Skerdian Gabranin me 6 vjet heqje lirie.

Njoftimi i policisë

DVP Vlorë/Kontrolle të befasishme në të gjithë qarkun Vlorë, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me lëndë narkotike apo me armë zjarri.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me FNSH Vlorë, operacioni policor i koduar “Swift”.

Kapet në Panaja dhe vihet në pranga, një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për ushtrimin e kontrolleve të befasishme në qendrat urbane, në akset rrugore nacionale dhe në ato kryesore rurale, me qëllim kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, shërbimet e Policisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Swift”, në kuadër të të cilit u kap dhe ndalua shtetasi në kërkim:

S. Z., 32 vjeç, banues në Panaja.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin e datës 15.03.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”.

Shtetasi S. Z. dyshohet se më datë 03.03.2021, pas vrasjes së shokut të tij, shtetasit T. Gj., në lagjen “Bashkimi”, Vlorë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin janë larguar autorët, 2 prej të cilëve, H. J. dhe S. G., janë ndaluar më pas nga Policia. 

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.