Agresori që qëlloi me grusht Berishën, i dënuar dhe më parë për dhunë

Ora News mëson se agresori i kryetarit të PD-së Sali Berisha është dënuar edhe më parë për dhunë fizike.

Mësohet se Gerti Shehu është dënuar 5 vite më parë nga Gjykata e Tiranës me 200 mijë lekë gjobë.

Në vendim thuhet se Shehu ka goditur me grushte dhe sende të forta  rojen e një palestre në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë duke shkaktuar dëmtime të mëdha.

Ngjarja ka ndodhur në gusht  2017 kur Shehu ka shkuar në ambientet e palestrës ku punonte roje Përparim Vladi.

Debati mes tyre ka nisur për një pult televizori që i riu e kishte marrë pa leje në ambientet e palestrës. Kur  roja i ka kërkuar të largohet, Gert Shehu e ka qëlluar me grushta dhe me një tullë në kokë duke i shkaktuar dëmtime të rënda mëson gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj.

Pas kallëzimit në komisariatin 1, prokuroria ka kryer veprime hetimore dhe ka dalë në përfundimin se dëmtimet që iu shkaktuan shtetasit Përparim Vladi klasifikohen në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të aftësisë në punë për mbi 9 ditë.

Katër  muaj pas ngjarjes Prokuroria i kërkoi gjykatës që Shehu të shpallej fajtor për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje dhe në fund gjykata e dënoi me 200 000 lekë gjobë.

Ndërkohë nesër Gerti Shehu pritet të dalë në gjykatën e Tiranës për vlerësimin e masës së sigurisë. Ndaj tij është ngritur akuza "goditje për shkak të detyrës" dhe "plagosje me dashje"

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.