Agresori i Berishës arrestohet për "plagosje me dashje" Flasin fqinjët: S'e dinim që kishte probleme
Një ditë pas goditjes së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, policia arrestoi Gerti Shehun në spital. 31 vjeçari refuzoi të flasë ndërsa fqinjët e tij në zonën ku banonte thonë se prej kohësh ishte përdorues i drograve por njëkohësisht frekuentonte edhe xhaminë. Disa prej banorëve të zonës shprehen të habitur nga ngjarja pasi thonë se nuk e dinin se Shehu kishte probleme.
Goditja e Sali Berishës me grusht në fytyrë në protestën e opozitës më 6 dhjetor 2022, i kushtoi prangat në spital 31-vjeçarit Gerti Shehu.
Hetuesit kryen mbrëmë procedurat e arrestimit në spital dhe tentuan ti kërkojnë deklarime autorit, por ai refuzoi të flasë në lidhje me ngjarjen.
"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar" informoi sot policia e Tiranës.
Ndaj Gert Shehut është ngritur akuza "goditje për shkak të detyrës" dhe "plagosje me dashje"
Incidenti shkaktoi debate të forta ndërsa fqinjët në zonën ku banon autori i ngjarjes thonë se ai ishte konsumator i lëndëve narkotike. Një prej shokëve të Gertit, thotë se prej dy vitesh 31-vjeçari frekuentonte xhaminë e Urës së Tabakëve.
"Pinte drogë, hashash. Po si duket pinte dhe nga të tjerat me shumë mundësi. Ishte besimtar, na përshëndeste me fjalë besimi."
Banorët e zonës janë befasuar nga incidenti pasi edhe pse jetonin në një lagje me të riun shumë prej tyre nuk e dinin për problemet që ai kishte me shëndetin mendor
Nëna e të arrestuarit është shprehur se ai kishte kohë që mjekohej për shëndetin mendor.
Dosja penale për ngjarjen është referuar në prokurori ndërkohë që mësohet se ky institucion do të kërkojë në gjykatë masën e "arrestit me burg".
Krahas veprimeve të tjera grupi i hetimit do të sekuestrojë edhe kartelën mjekësorë për të përcaktuar zyrtarisht gjendjen e shëndetit mendor të të riut.
Hetuesit kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë të incidentit në protestën e opozitës. Pretendimeve për thirrjen e vetë Berishës, kreu i zyrës së komunikimit në PD Alfred Lela iu përgjigj duke thënë se lideri demokrat nuk ka asnjë minutë për të humbur me këtë polici politike.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

