Emigracioni në Britani, ambasadori shqiptar Qirko: Ndalni fushatën e diskriminimit ndaj shqiptarëve!
Me mijëra të rinj janë larguar nga Shqipëria në vitet e fundit. Shumë prej tyre drejt Anglisë, duke kaluar me varkë kanalin e La Manshit. Kjo është kthyer në problem për britanikët. Në dëgjesën me ambasadorin tonë atje, ai tha se shumë prej të rinjve që mbërrijnë janë viktima të reklamave në Tik Tok dhe Facebook. Qirko u kërkoi gjithashtu autoriteteve dhe medieve britanike që ta ndalin fushatën e diskriminimit ndaj shqiptarëve.
Çështja e emigracionit të paligjshëm të të rinjve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe ka vajtur në Parlamentin britanik. Komiteti për Punët e Brendshme thërriti për një dëgjesë Ambasadorin shqiptar Qirjako Qirko në Mbretërinë e Bashkuar.
Për ambasadorin shqiptar në Britani, fushata e disa zyrtarëve të lartë britanikë duke shenjuar shqiptarët ka ndikuar te diskriminimi i fëmijëve shqiptarë nëpër shkollat britanike.
Ai kërkoi që kjo fushatë që nxit urrjejte të ndalet dhe shqiptarët mos të diskriminohen. Ka një pjesë të medias që është angazhuar kundër popullit tim dhe apeloj që kjo të ndalet, tha diplomati.
Qirko hodhi poshtë sugjerimin që Shqipëria duhet të paguajë për strehimin e emigrantëve në Britani dhe refuzoi të komentojë nëse Mbretëria e Bashkuar duhet të refuzojë automatikisht të gjitha kërkesat për azil nga Shqipëria, duke thënë 'nuk është problemi im'.
Sa i përket faktit se pse shumica e atyre që mbërrijnë si emigrantë të paligjshëm janë të rinj, ambasadori ynë tha se ata gënjehen nga mediet sociale.
“Në përgjithësi ata janë të rinj që janë shumë të lehtë për t'u manipuluar bazuar në atë që shohin në mediat sociale. Realiteti, kur ata mbërrijnë, është ndryshe”, tha diplomati.
Ministri i Brendshëm britanik po harton një paketë të re ligjesh për ta bërë më të lehtë refuzimin dhe largimin e azilkërkuesve nga Shqipëria.
Së fundmi, qeveria britanike ka ngritur shqetësimin për varkat me të rinjtë shqiptarë që kanë mbërritur në Angli nga kanali La Manche. Mijëra prej tyre janë djem të rinj.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
