Plotësohet Kushtetuesja, Begaj dekreton ish-kreun e KLP-së, Genti Ibrahimin, si anëtar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka administruar nga KED, Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim për vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu, në fund të procesit me “bekimin” e Presidentit Begaj, Genti Ibrahimi emërohet gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Ibrahimi, ekspert i lartë i reformës në drejtësi, drejtoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një mandat 5 vjeçar nga 2018 në 2022.

Ndërkohë Arta Vorpsi dhe Arta Marku janë renditur me më pak pikë se sa Ibrahimi, edhe pse Vorpsi ka marrë vetë 0.16 pikë më pak se Ibrahimi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me datë 28.10.2022 ka vendosur miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant, vakancë e plotë e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022, si më poshtë:

Z. Genti Ibrahimi                              88.38 pikë

Znj. Arta Vorpsi                                 88.22 pikë

Znj. Arta Marku                                82.66 pikë

Vakanca është krijuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me mbarimin e mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo.

Me dekretimin e sotëm të Ibrahimit, Kushtetuesja bëhet plotësisht funksionale, me 9 anëtarë.