Fermerët e Konispolit ankohen për mungesën e subvencioneve, Zhupa: 250 mijë euro i groposën në Sharrë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, zhvilloi këtë të shtunë një takim me fermerët në Konispol ku u njoh me shqetësimet e tyre, mungesën e subvencioneve nga qeveria, mungesën e investimeve ndonëse BE ka akorduar miliona euro fonde, mungesën e fuqisë punëtore dhe shpenzimet e larta për shkak të burokracive të administratës. 

Fermerët shprehën shqetësim se fondet e akorduara nga BE për bujqësinë po shpërndahen vetëm për miqtë e qeverisë. 

"Për pjesën tonë si fermerë, sepse ne qëkur i kemi mbjellë e deri më tani vetëm me shpatullat tona, asnjë ndihmë nga qeveria, asnjë subvencion. I plotësova të gjitha dokumentat, 1 milionë e 300 mijë lekë edhe nuk mora as edhe 1 qind lekë," tha një fermer. 

"Për një parcelë 6 dynym kam paguar 20  mijë lekë për pastrimin e kanalit."

"Në Sharrë, ku është incineratori, meqë është fushë ai e kishte regjistruar si fermë. As ka mbjellë, as ka bërë gjë, por lekët e BE-së që mund t’i mernit ju, i ka marrë ai. 250 mijë euro me fakte dhe me prova, dhe as nuk skuqen dhe as nuk zverdhen, lëre më t’i preket ligji, apo të vihet drejtësi. Kështu që, unë mendoj që të gjitha problemet tuaja unë do t’i ngre në Parlament në çdo moment. Do të bëjmë gjithçka" tha Zhupa.