Policia i thotë PO protestës më 6 dhjetor por me kusht. Mesazh Berishës: Jemi përgatitur nëse....
Opozita nuk do të lejohet të protestojë përballë kryeministrisë më 6 dhjetor. Ministri i Brendshëm, Bedi Çuçi, tha se tubimi do të lejohet në një zonë tjetër që nuk cënon samitin e vendeve të BE që mbahet të martën. Ndërkaq drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, tha se shpreson në mirëkuptimin e Partisë Demokratike por shtoi se policia i ka marrë masat për çdo të papritur në lidhje me cënimin e perimetrit të sigurisë.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, deklaruan publikisht se opozita nuk do të lejohet të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë më 6 dhjetor për shkak të zhvillimit të samitit të BE në Tiranë.
Çuçi ka sqaruar se atë ditë në Tiranë do të ketë një zonë të kuqe sigurie për shkak të samitit të BE, ku nuk do të lejohet hyrja e protestuesve apo personave të tjerë.
Çuçi: Ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet Samiti që nuk, mund të protestohet por jashtë asaj zone padiskutim ne do marrim gjithë masat që edhe protesta të shkojë ashtu si duhet.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, sqaroi se ai vetë dhe drejtoria e Tiranës kanë mbajtur kontakte me zyrtarët demokratë për t`iu shpjeguar situatën, por shtoi se strukturat e rendit janë përgatitur për çdo të papritur.
Rrumbullaku: Ne kemi besimin se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur të ndodhë e kundërta.
Kreu i policisë, në daljen për mediat shpjegoi se nëse opozita e zhvendos vendin e mbajtjes së tubimit, atëherë forcat e rendit do të garantojnë mbarëvajtjen e saj jashtë zonës së kuqe të sigurisë së Samitit.
Rrumbullaku: Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar.
Më 29 nëntor 2022, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i kthyen përgjigje Partisë Demokratike duke njoftuar se nuk do të lejojnë grumbullimin e protestuesve përballë Kryeministrisë për shkak të masave të sigurisë për samitin e vende të BE.
Pas këtij refuzimi, kreu i PD-së, Sali Berisha, ka thënë se opozita nuk tërhiqet dhe do të jetë në shesh për ti treguar vendeve të BE-së fytyrën e vërtetë të qeverisë që drejton Shqipërinë.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
