Zbrazet Kovashica e Bulqizës, shtëpitë mbeten bosh

Ne fshatra eksodi është edhe më dramatik. Po largohen jo veç të rinjtë. Në Kovashicë të Shupenzës, kanë mbetur vetëm 20 familje. Ata që jetojnë ende aty, po gjejnë mundësi për të ikur jashtë. 

Më shumë shtëpi, sesa njerëz. Dikur në fshatin Kovashicë të Shupenzës në Bulqizë, ishin mbi 80 familje, tani sipas banorëve të mbetur aty, ka vetem 20. Hekuran Toçi, tregon se të rinjtë kanë ikur me kohë. Vënde pune për ta , nuk ka.

Hekurani Toçi: “Ikën të rinjtë. Nuk ka shkolla, të shkosh në Peshkopi. Nuk ka asnjë lloj përmirësimi, vetëm varfërohemi.Të gjithë po ikin nëpër botë”

Tashmë fëmijët, po marrin edhe prindërit jashtë.

Hekurani Toçi: Shtëpia dy katëshe, është e vëllait, ka ikur në Gjermani te fëmijët, këtu s'ka perspektivë”

Edhe Xhelal Toçi, thotë për Ora News, se të rinjtë nuk kanë asnjë mundësi, që në këtë fshat, të krijojnë e të mbajnë familjet.

Xhelal Toçi: “Pa punë,pa asgjë. Rinia ka ikur në kurbet. Këtu kemi ngelur ne, marim ndonjë kal përdore, ta kullosim”

Hekuran Toçi, shton se me këtë situatë që është krijuar në vendin tonë, edhe ai po mendon largimin, pasi jetesa është bërë shumë e vështirë.

Hekuran Toçi: “Edhe unë jam gati, të mbyll sytë dhe të iki, s’ka, këtu do jetë gërmadhë, do e mbuloj ferra”

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.