Pesë muaj “Ping-Pong” për kallëzimin e KPK-së kundër Nezir Gjokës, prokuroria e Durrësit nis hetim për ish-prokurorin e Apelit

Pas një periudhe ping-pongu mes disa prokurorive, kallëzimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj ish-prokurorit të Apelit Tiranë Nezir Gjoka, më në fund është regjistruar në prokurorinë e Durrësit.

Vendimi për rregjistrimin e procedimit penal ndaj Nezir Gjokës, për akuzën e “Fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”, ka ardhur 5 muaj pas depozitimit të kallëzimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Nga muaji Korrik 2022 e deri në fund të muajit tetor 2022, çështja penale ndaj ish-prokurorit Nezir Gjoka, ka kaluar mes disa duarsh, duke shkuar fillimisht në SPAK, më pas në prokurorinë e Durrësit. Ndërsa kjo e fundit ka shpallur moskopetencën dhe mandej kallëzimin e KPK-së, kundër Nezir Gjokës, ja ka kaluar për hetime të mëtejshme, prokurorisë së Tiranës.

Por edhe kjo prokurori shpalli moskopetencën, duke kaluar dosjen hetimore edhe një herë në prokurorinë e Durrësit.

Tashmë dosja penale do trajtohet nga prokurorja Enkelejda Xhengo.

Disa vite më parë edhe bashkëshortja e tij, Dhurata Gjoka, u akuzua se eshte implikuar në afera korruptive në hipotekën e Durrësit, por për habi të shumë zyrtarëve në Durrës, gruaja e ish-prokurorit i shpëtoi ndjekjes penale në një dosje hetimore të vitit 2005. 

Nezir Gjoka, iku me vullnetin e tij të lirë nga sistemi i prokurorisë së Apelit Tiranë, me shpresën e mospublikimit të materialit sensitiv të konstatuar nga KPK-ja.

Por Komisioni i “Vettingut” pas largimit të Gjokës, referoi një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme SPAK, duke u futur në listët e prokurorëve të kallëzuar me Petrit Fushën e të tjerë.

SPAK, ka shpallur moskopetencën dhe ka ka çuar këtë kallëzim të KPK-së, për veprime të mëtejshme hetimore në prokurorinë e Durrësit.

Ping-pongu

Çështja e tij, për një periudhë kohe është mbajtur në Durrës nga prokurorja, Enkelejda Xhengo, e cila nuk e ka rregjistruar fare si procedim penal, materialin kallëzues.

Në 26 korrik 2022 Xhengo shpalli moskopetencën dhe ia kaloi materialin kallëzues prokurorisë së Tiranës. Duke i kërkuar kësaj të fundit të kryejë verifikime dhe hetime nëse qëndrojnë pretendimet e ngritura në kallëzimin e KPK-së.

Në 6 shtator 2022, materiali kallëzues mbërriti në Prokurorinë e Tiranës. Dosja u shortua dhe mësohet se prokurori që ishte ngarkuar për të kryer hetime rezulton të ketë qënë, Dritan Nushi. Por edhe ky i fundit në mesin e muajit shtator, por dhe ky dha dorëheqjen nga kjo çështje, duke mos pranuar të kryejë veprime hetimore.

Më pas çështja u mor nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, i cili regjistroi procedimin penal nr.7415. për akuzën e “Mosdeklarimit të pasurisë dhe fshehjes së të ardhura”.

 Çështjen nuk pranoi ta hetojë, por ia kaloi në 14 tetor 2022 prokurorisë së Durrësit për të kryer hetime të mëtejshme.

Tashmë dosja ndaj Nezir Gjokës, ndodhet në Durrës dhe se detyrimisht kjo prokurori ka rregjistruar kallëzimin penal, dhe aktualisht po kryhen një sërë veprimesh për të faktuar me prova pretendimet e ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Prokuroria e Durrësit ka disa precedentë të hetimit dhe dërgimit si të pandehur në gjykatë të zyrtarëve, prokurorëve e gjyqtarëve të korruptuar dhe që kanë fshehur pasurinë e tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.