Delvinë: Ura e Vanës e shembur prej muajsh, izolon banorët, fëmijët mbeten pa shkollë
Banorët e Delvinës kanë mbetur të izoluar. Prej një muaji, që kur u shemb ura, ata kalojnë përmes lumit. Bashkisë i kanë kërkuar ndërhyrje, por nuk kanë marrë, asnjë përgjigje.
Ura e Vanës në Delvinë, u shemb një muaj më parë, duke izoluar të gjithë fshatin.
Qindra banorë duhet të kalojnë lumin, ose të ecin mbi urën e shembur, për të shkuar në punë dhe shkollë. Per pasoje një pjesë e mirë e fëmijëve e kanë braktisur mesimin.
Banorët: “Fëmijët nuk venë në shkollë, ngelën mbrapa me mësime, sepse nuk e dërgon dot fëmijën në shkollë. Ku ta dërgoj? Të bëhet copë, po kaloi në urë, ndodh diçka fatale. Fëmijët pa shkollë. Vajzat nuk kalojnë dot”
Ura provizore është ndërtuar herë nga bashkia, e herë nga banorët, pak metra larg urës së shembur, por nuk i shërben askujt sepse çdo ditë uji i lumit e gërryen.
Banori: “ Këtë, e paguam ne, e bëmë vetë më financat tona, kush kishte mundësi, unë s'kisha, nuk dhashë lekë”
Banorët rrezikojnë jetën duke kaluar mbi urë, ose përmes lumit, që del nga shtrati, sa herë bie shi.
Banori: “Ai ka rënë nga biçikleta, sepse është më probleme kardiake. Lumi kishte shumë ujë dhe nuk e kalonim dotë, një djalë mori guximin dhe e kaloi këtu, ku nuk mund të kalosh dotë vetëm, jo të kalosh me një tjetër, në shpinë ”
Thonë se ndihen të lënë pas dore nga Bashkia e Delvinës, ndaj i bëjne thirrje kësaj të fundit të ndërhyjë, në të kundërt banorët do të dalin në protesta.
Banori: “Kemi menduar të dalim në protesta, po s’na lën të mblidhemi, s’na lë shtëti. Nuk na japin kërkesën, që të zëm rrugën, nuk na e japin. Këto ka fshati…,s’ka bër vaki, ka rënë 4 herë , bëhej për 7 ditë . Tani vajti, 35 ditë. S’ka bashkia lekë, të vij shteti të vëjë dorë”
Ura e Vanës u shemb për herë të disatë, teksa një kamion mbi tonazhin e lejuar, kalonte mbi të.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


