Taulant Balla në përgjime me kriminelë? Përgjigjet Edi Rama. Erion Braçe institucion në PS
Kryeministri Edi Rama mbrojti kryetarin e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla emri i të cilit rezulton të jetë vënë në përgjim nga prokuroria e Elbasanit për lidhje me elementë të grupeve kriminale.
I etiketoi si “llafe e spekullime” por intonacioni i të folurës ishte tregues se kryeministri nuk ndihej rehat.
Edi Rama: “Si mund të ketë një të vërtetë tjetër përveç asaj që bazohet në fakte. Unë i besoj fakteve dhe nuk merrem me llafe, as spekullimeve. Unë i ruhem gjysmë të vërtetave. Nëse ka fakte të akuzuarit të sjellin fakte për ata që akuzojnë. Këtu ka ndryshuar trendi I civilizimit por kjo nuk më detyron mua të hyj në këtë trend. Ka shumë që punojnë për gënjeshtrën. Për të marrë nëpër gojë njerëz e zhgërryer e baltosur emra njerëzish për ta katandisur si kënetë ku të gjithë janë të zhgëryer ka boll. Unë nuk pjesë e kësaj kategorie.”
Ora News mësoi pak ditë më parë se përgjimi i deputetit Balla ka zgjatur vetëm dy ditë, dhe një gjë e tillë ka ndodhur pas masakrës së 3 shkurtit 2016 që ndodhi ndaj familjes “Çapja” në Elbasan.
Përmes këtij vendimi gjykate mësohet se deputeti socialist Taulant Balla, është përgjuar në telefon për 46 orë e 50 minuta me vendim të gjyqtares Zamira Vyshka.
Sipas dokumentit në 3 shkurt 2016, ndodh një ngjarje e rëndë, dhe vriten tre persona, Agron Çapja, Enver Sinakoli, Eno Bedalli dhe plagosen 7 të tjerë.
Pas kësaj procedure, prokuroria ka angazhuar sërish gjyqtaren Zamira Vyshka, e cila ka vendosur në datën 17 shkurt 2016, asgjësimin e disketës që përmbante 46 orë e 50 minuta përgjim.
Gjithashtu mbrojti dhe deputetin Erion Braçe i cili dje përmes një postimi në rrjetet sociale duket se akuzoi kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla se i ka bllokuar me ligësi ligjin që ndihmon fermerët.
Edi Rama: “Erion Braçja është institucion në PS dhe është në të drejtën e vet të thotë çfarë të bojë e bardha zemër se zemrën e ka të bardhë si borë e kur të flisni për të sigurohuni që të keni ngrënë një lugë mjaltë”

