Samiti i BE dhe protesta e opozitës në një ditë, mbi 1500 forca të rendit në terren
Në datën 6 dhjetor Tirana do të kthehet në qendrën e vëmendjes së Evropës, pasi në Pallatin e Kongreseve do të zhvillohet samiti i BE me shtetet e Ballkanit perëndimor ku pritet të mblidhen 45 delegat nga të gjitha vendet e kontinentit.
Një pjesë e delegacioneve të huaja pritet të mbërrijnë që në datën 5, ndërsa në orën 10 të së martës liderët e BE dhe të Ballkanit do të mbërrijnë në sheshin Italia për të vijuar më tej me takimin.
Mes tyre do të jetë presidenti i Francës Emanuel Macron, kryeministri i Greqisë Kiriakos Mitsitakis etj.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel do të jenë në një konferencë për mediat së bashku me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama.
Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të takimit mbi 1500 forca të rendit do të jenë në terren për të garantuar samitin ashtu dhe institucione të tjera të sigurisë.
Në urën e Dajtit është vendi ku fillon perimetri i sigurisë i vendosur nga autoritetet përkatëse për samitin e Bashkimit Evropian me vednet e Ballkanit Perëndimor. Mjetet dhe këmbësorët nuk do të lejohen të kalojnë.
Në perimetrin e bllokuar do të ketë 16 nivele sigurie, ku do të lejohet qarkullimi vetëm për personat e akredituar. Por një nga shqetësimet e qeverisë mbetet dhe protesta e opozitës në 6 dhjetor, për të cilën u takuan sërish në selinë blu, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryedemokrati Berisha.
Sheshi Skenderbej është vendndodhja që policia i ka ofruar opozitës për të mbajtur protestën në 6 dhjetor, pasi bulevardi deshmorët e kombit, aty ku opozita kërkon të zhvillojë protestën është brenda perimetrit të sigurisë.
Ende nuk dihet nëse opozita do ti qëndrojë vendimit për të zhvilluar protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo në sheshin “Skënderbej”.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

