Sulmet kibernetike i Iranit, Prokuroria kërkon "Arrest Shtëpie" për 5 punonjës IT të Administratës Publike

Prokuroria e Tiranës bën përgjegjës 5 punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP) për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë ishin angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Ndaj tyre prokuroria ka ngritur akuzën e "Shpërdorimit të Detyrës" dhe prokurori Bledar Bledar Valikaj kërkoi sot paradite (30 nentor 2022) në Gjykatën e Tiranës masën e sigurisë “Arrest shtëpie” raporton gazetarja e Ora News, Keti Banushi. 

Por pas shqyrtimit gjyqtarja Ardiana Bera vendosi mos pranimin e kërkesës së prokurorit dhe caktimin e masës së sigurisë "Detyrim me paraqitje në policinë gjyqësore"

Në 11 korrik 2022 shërbimet online në Shqipëri u bllokuan si pasojë e sulmeve kibernetike. Dyshimet janë se si pasojë e neglizhencës u bë e mundur që hakerat iranian të hynin në rrjetet online të shtetit shqiptar duke marrë prej aty edhe të dhëna një pjesë e të cilave tashmë janë publikuar përmes aplikacionit telegram.

“Stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.”

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që tëbëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t" thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Emrat 

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

Alketa Sulo - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku - Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami. - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Sulmi kibernetik 

Në korrik 2022 shërbimet online në Shqipëri u bllokuan si pasojë e sulmeve kibernetike. Për këtë u kërkua ndihma edhe të ekspertëve të SHBA dhe Microsoft të cilët mundën të rikthenin funksionin e plotë si dhe të ndalonin ndërhyrje të tjera.

Pas verifikimeve autoritetet shqiptare akuzuan Iranin ndërsa u bë e ditur se hakerat kishin mundur të hynin në rrjet si dhe ishin përpjekur edhe për të fshirë të dhëna por nuk kanë mundur. Prej asaj kohe u publikuan të dhëna të identitetit të shqiptarëve, por edhe udhëtimet jashtë Shqipërisë të kryeministrit Edi Rama, si dhe drejtuesve të lartë të SHISH etj.

Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale.

Disa te dhena 

Me 17 korrik 2022 Sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare nën sulm masiv kibernetik. Deklarohet se sulmi është sinkronizuar dhe sofistikuar nga jashtë 

Më 20 korrik 2022 Prokuroria e Tiranes nis hetimet 

Më 21 korrik 2022 kryeministri Rama deklaroi se ekspertë nga SHBA ndalën sulmin kibernetik dhe se aksione diplomatike ndaj shtetit që fshihet pas

Më 7 shtator 2022 Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin pasi u konfirmua se sulmi kibernetik në sistemin dixhital të Shqipërisë ishte organizuar dhe sponsorizuar nga Irani.

Më 9 shtator 2022  bie dhe sistemi TIM

11 shtator 2022  SHBA deklaron: Aktivitet keqdashës pas sulmit kibernetik të 15 korrikut nga Irani 

Më 8 tetor 2022 Presidenti Begaj mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare ndërsa hakerat su ndalën, duke publikuar të dhënat e të gjithë policëve 

Më 9 tetor 2022 Shqipëria dorëzon rezolutën që dënon sulmet kibernetike kundër Shqipërisë

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.