Ngricat rrezik pas borës, rikthehen reshjet në Alpe dhe juglindje. Termometri nën zero
Reshjet e dëborës janë rikthyer në Alpet e Veriut dhe zonat malore të juglindjes, pas të cilave ngricat për shkak të temperaturave të ulta mund të shkaktojnë problematika.
Dëbora u rikthye në Veri. Reshjet nisën mbrëmjen e së martës dhe kanë përfshirë Dukagjinin, Kelmendin, dhe fshatin turistik të Thethit.
Me intensitet të ulët, dëborë ka në akset Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh.
Temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme.
Në Qafë Thorë raportohet për 2 gradë nën zero, ndërsa tërmometri zbret deri në -4 gradë celcius.
Institucionet lokale raportojnë se rrugët janë të hapura, ndërsa vijon procesi i kriposjes për të shmangur krijimin e shtresave të ngricës, çka mund të sjellë probleme.
Vitin e kaluar, rruga e Thethit, ishte e kalueshme pjesën më të madhe të dimrit, ndërsa sfidë tashmë është hapur për këtë vit.
Reshjet e dëborës me intensitet të ulët vijuan edhe në Dardhë të Korçës, ku temperaturat shënuan -1 gradë.
Rruga deri më tani qarkullohet pa probleme, por edhe në juglindje, rreziku tashmë vjen nga krijimi i ngricave në rrugë.

Në këto kushte ARRSH dhe Policia rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve, që përgjatë akseve me prezencë bore, të vendosin gomat dimërore dhe zinxhirë, të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe të respektojnë sinjalistikën.
Reshje dëbore, janë shënuar edhe në zona të tjera në juglindje dhe verilindje, nga të cilat deri më tani nuk ka raportime për problematika.
Parashikimet ndërkohë janë, që këtë të mërkurë pritet një përkeqësim i kushteve meteorologjike, për vendin tonë.
Në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e deti do të vijojnë reshjet e dëborës, ndërsa në pjesën tjetër të vendit do të ketë reshje shiu, deri në formën e shtrëngatave.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.