Sulmi kibernetik i Iranit, 5 specialistët e IT-së do të hetohen në liri

Gjykata e Tiranës caktoi sot (30 nentor 2022) masën e sigurisë "detyrim me paraqitje" për 5 punonjës të sektorit të IT në administratën publike të akuzuar për sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë. Prokuroria kishte kërkuar ndaj tyre masën arrest shtëpie me akuzën se kanë neglizhuar marrjen e masave të nevojshme teknike për parandalimin e ndërhyrjes kibernetike e cila u bë shkak për dëmtimin e shërbimeve të e-albanias dhe vjedhjen e të dhënave shtetërore e private të qytetarëve shqiptarë.

Prokuroria e Tiranës kërkoi masën e "arrestit në shtëpi" për pesë persona në lidhje me sulmin kibernetik që goditi Shqipërinë në korrik të këtij viti.

Burimet kanë bërë të ditur se nën akuzë janë vendosur pesë zyrtarë dhe punonjës që janë pjesë e Administratës Publike por edhe të Ministrisë së Brendshme në detyrën e IT.

Masa e "arrestit në shtëpi" është kërkuar për dy punonjës të burgjeve dhe Ministrisë së Brendshme si dhe tre të DAP e më konkretisht Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja.

Ka qenë prokurori Bledar Valikaj i cili i ka akuzuar për shpërdorim të detyrës, duke firmosur edhe urdhër arrestit në shtëpi ndaj tyre.

Pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorisë, Gjykata e Tiranës vendosi masën "detyrim me paraqitje" për 5 personat e akuzuar.

Dyshimet janë se si pasojë e neglizhencës së punonjësve u bë e mundur që hakerat iranian të hyjnë në rrjetet online të shtetit shqiptar duke marrë prej aty edhe të dhëna një pjesë e të cilave tashmë janë publikuar përmes aplikacionit telegram.

Prokuroria tha se stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej sistemi administrata.al.

Raporti i miocrosoft mbi hetimin e sulmit kibernetik ka konstatuar se sistemi administrata.al ka qenë porta hyrëse e hakerave në databazën shtetërore shqiptare.

Sipas prokurorisë, në rast se këta punonjës, do të kishin kërkuar informacion dhe do kishin azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Në korrik shërbimet onlinë në Shqipëri u bllokuan si pasojë e sulmeve kibernetike. Për këtë u kërkua ndihma edhe të ekspertëve të SHBA dhe Microsoft të cilët mundën të rikthenin funksionin e plotë si dhe të ndalonin ndërhyrje të tjera.

Pas verifikimeve autoritetet shqiptare akuzuan iranin ndërsa u bë e ditur se hakerat kishin hyrë në rrjet dhe kishin fshirë rreth 10 për qind të informacionit. Prej asaj kohe hakerat publikuan periodikisht të dhëna të identitetit të shqiptarëve, e-mailet e ministrave por edhe udhëtimet jashtë shqipërisë të kryeministrit edi rama, si dhe drejtuesve të lartë të policisë dhe shish.

Ne hetim

Me vendimin e sotëm, dhënë nga gjyqtarja Ardiana Bera Gjykata vendosi që 5 specialistët e IT-së pranë Departamentit të Administratës Publike të hetohen nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”, në Policinë Gjyqësore.

Ata do të paraqiten të mërkurën e parë dhe të tretë të muajit ora 13:00 në Prokurorinë e Tiranës.

Alketa Sulo - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku - Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike